“Unë u ktheva”, Adriana Matoshi ka disa fjalë pas operimit

Aktorja dhe deputetja Adriana Matoshi, është lajmëruar me një status në Facebook, pas daljes nga spitali, ku është operuar për tumorin në tru që i ishte rikthyer pas nëntë vitesh.

Matoshi ka shkruar se nuk e kishte besuar asnjëherë se sa shumë ndikojnë pozitivisht thirrjet dhe dedikimet që iu bënë me rastin e operimit.

“Gjithmonë e kom ditë që jemi popull i bashkum, popull që e zgjasim dorën kur duhet, po asniher nuk kisha besu sa shumë ndikojnë psiqikisht edhe shpirtnisht krejt ato thirrje, mesazhe, komente e dedikime pafund që i lexojsha gjithandej. Forca nuk u reflektu veç te unë, po te krejt njerzt me t’cilët jom e lidhun shpirtnisht. Ju i keni bo edhe ata me besu n’lutjet tuaja”, ka shkruar Matoshi.

Matoshi ka përmendur ecjen që u organizua në sheshet e Prishtinës, një ditë para operimit të saj.

Ajo thotë se marshe të tilla duhet të organizohen për fëmijët, gratë e burrat që luftojnë me sëmundjet të cilat mbi të gjitha kanë kosto të lartë financiare.

“Ecja/marshimi n’sheshin e Prishtinës u kon për mu e papritshme. Jo pse kom dyshu n’dashninë e njerzve t’mi, po n’temperatura qaq t’ulëta, i pashë të mbledhun shoqni, kolegë e qytetarë të cilët ma dhan forcën ma t’madhe ndërkohë që unë isha duke i’u nënshtru krejt analizave e kontrollave para operimit. Marshet e tilla duhet me u organizu e me ju dediku krejt atyne fmive, grave e burrave që luftojnë e na nuk e dijmë nëpër çka po kalojnë. Besomni nuk ja u njihni as dhimtën, as stresin, e as ngarkesën e kostos që e ka mjekimi për kto smundje kaq t’rona”, ka shkruar Matoshi.

Ajo ka falënderuar të gjithë ata që i kanë shkruar, derisa ka bërë të ditur se me rekomandim të mjekut, është duke qëndruar largë telefonit.

“Kurrë ma e përmbushun shpirtnisht nuk jom kon. Po ju falenderoj shumë krejt juve që m’keni shkrujt prej momentit që e kom publiku lajmin. Ma boni hallall që nuk kom mrri as me i lexu ato mija mesazhe që hala nuk po ndalen. Për momentin jom tu qëndru larg telefonit si rekomandim i mjekut për pushim dhe qetësi apsolute. Premtimin që ja u dhash, e majta. UNË, U KTHEVA ❤️”, ka shkruar Matoshi.

Kategoritë
LajmeVendi