UNICEF: Një milion fëmijë afganë mund të vdesin nga kequshqyerja

Në një deklaratë, drejtoresha ekzekutive e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), Henrietta Fore, tha se rreth 10 milionë fëmijë në të gjithë Afganistanin kanë nevojë për ndihmë humanitare për të mbijetuar

Rreth një milion fëmijë afganë parashikohet të vuajnë nga kequshqyerja akute gjatë këtij viti dhe mund të vdesin pa trajtim, paralajmëroi sot Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, drejtoresha ekzekutive e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), Henrietta Fore, tha se rreth 10 milionë fëmijë në të gjithë Afganistanin kanë nevojë për ndihmë humanitare për të mbijetuar.

Ajo shtoi se rreth 4,2 milionë fëmijë në Afganistan janë jashtë shkollës, përfshirë më shumë se 2,2 milionë vajza.

Në deklaratë ajo theksoi se afërsisht 435.000 fëmijë dhe gra në vendin e shkatërruar nga lufta, ku talebanët kanë marrë pushtetin, janë të zhvendosur brenda vendit.

“Ky është realiteti i zymtë me të cilin përballen fëmijët afganë dhe mbetet i tillë pavarësisht nga zhvillimet e vazhdueshme politike dhe ndryshimet në qeveri. Ne parashikojmë që nevojat humanitare të fëmijëve dhe grave do të rriten gjatë muajve të ardhshëm në mes të një thatësire të rëndë dhe mungesës së vazhdueshme të ujit, pasojave shkatërruese socio-ekonomike të pandemisë së COVID-19 dhe fillimit të dimrit”, tha Fore.

Duke i nxitur talebanët dhe palët e tjera që të garantojnë sigurinë, agjencia e Kombeve të Bashkuara përgjegjëse për ofrimin e ndihmës humanitare dhe zhvillimore për fëmijët në mbarë botën bëri thirrje për një “qasje në kohë dhe të pakufizuar për të arritur fëmijët në nevojë kudo që janë”.

Edhe pse shumë njerëz kanë frikë nga ndëshkimi dhe po përpiqen të largohen nga vendi, talebanët kanë ofruar sigurinë e misioneve të huaja, organizatave ndërkombëtare dhe agjencive të ndihmës.

“Dua t’ju siguroj se nuk do të lejojmë askënd të bëjë asgjë kundër jush”, tha zëdhënësi Zabihullah Mujahid në konferencën e parë për shtyp të grupit që nga marrja e kontrollit të Afganistanit më 15 gusht.

Kategoritë
BotaLajme