Universiteti i Prishtinës përfshin mësimin e gjuhës serbe në një program të ri

Zarife Çoçaj është një nga 11 studentët e Ballkanistikës, programit më të ri të Fakultetit Filologjik të akredituar këtë vit, që ofron mësimin e gjuhës shqipe, serbe dhe gjuhëve të tjera të Ballkanit bashkë me letërsinë, kulturën dhe historinë e tyre.

Ajo thotë se këtë drejtim e sheh si një mundësi të mirë për të ardhmen e saj.

“Shumë procese në Kosovë lidhen me një ndërveprim rajonal në Ballkan, si pjesë e procesit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”, thotë ajo.

Gati tri dekada që kur mësimi në Kosovë filloi të zhvillohet në mënyrë paralele, i ndarë përgjatë vijës etnike, për herë të parë këtë vit gjuha serbe do të fillojë të mësohet në universitetin kryesor publik të Kosovës si pjesë e programit të Ballkanistikës.

Ballkanistika është program katërvjeçar, ku do të mësohet gjuha shqipe dhe serbe. Pas përfundimit, studentët do të mund të dalin si përkthyes profesionalë.

Programi i ri i Ballkanistikës përfshin jo vetëm mësimin e gjuhëve, por edhe letërsinë, kulturën dhe historinë e Ballkanit. Studentët si Zarifja do të përgatiten në fushën e përkthimit dhe mësimdhënies së gjuhëve të Ballkanit si dhe në fusha të tjera që lidhen me këtë areal gjuhësor dhe gjeografik.

Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, thotë se programi i Ballkanistikës që për herë të parë u akreditua në vitin 2015, por që në mungesë të stafit iu hoq akreditimi, tani është dizajnuar më ndryshe, duke u profilizuar më shumë në fushën e përkthimit.

“Përmbajtja e Ballkanistikës si program është më e veçantë dhe ka të bëjë me aspektet shkencore të gjuhëve, si dhe me aspektet kulturore, historike dhe letrare në Ballkan”, thotë Rugova.

Rugova shton se institucionet në Kosovë aktualisht kanë nevojë për përkthyes dhe interpretë gjuhësorë në të gjitha nivelet e administratës. “Njohja e gjuhëve zyrtare të vendit: gjuhës shqipe dhe gjuhës serbe, është një plus i madh për secilin”, thotë ajo.

Sipas saj, studentët e Ballkanistikës mund t’i zotërojnë në nivel akademik tri gjuhë të huaja përnjëherësh.

Deri në vitin 1999, serbo-kroatishtja ishte gjuha e parë zyrtare, një lloj “gjuhë kryesore”, e cila konsiderohej si një urë mes folësve, gjuhët amtare të të cilëve ishin të ndryshme.

Kur Serbia e konsolidoi kontrollin e vet mbi Kosovën nga fundi i viteve 1980, shqipja u hoq si gjuhë zyrtare nga institucionet.

Kategoritë
LajmeVendi