Ushtarët amerikanë hapën zjarr në ajër në aeroportin e Kabulit, ku u mblodhën mijëra civilë

Mijëra njerëz që duan të largohen nga vendi që nga mbrëmja e djeshme janë mbledhur në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit.

Ushtarët amerikanë hapën zjarr në ajër në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, ku u mblodhën civilët që donin të largoheshin nga vendi pasi talebanët hynë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pasi talebanët hynë dje në Kabul dhe morën kontrollin mbi pallatin presidencial dhe ndërtesat publike, ekziston një atmosferë paniku mes njerëzve.

Mijëra njerëz që duan të largohen nga vendi që nga mbrëmja e djeshme janë mbledhur në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit.

Pasi që civilët u mblodhën në pistën e aeroportit, ku në orët e mëngjesit u rrit dendësia e tyre, ushtarët amerikanë të cilët ndodhen në zonë për evakuim shumë herë hapën zjarr në ajër.

Deklarata e talebanëve se nuk do të ketë fluturime

Nga ana tjetër, talebanët shkuan në hyrje të Aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit dhe u kërkuan njerëzve të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe njoftuan se nuk do të ketë fluturime në këtë kohë.

Thuhet se ata që duan të shkojnë në provincat e tjera nga toka kanë vështirësi për gjetjen e automjeteve dhe se janë dyfishuar çmimet e transportit.

Aviokompania Emirates Airlines e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) njoftoi se fluturimet për në Kabul janë pezulluar deri në njoftimin tjetër.

Procesi i dominimit të talebanëve në vend

Në kuadër të marrëveshjes së paqes të arritur në shkurt 2020 mes SHBA-së dhe talebanëve, këtë vit filloi procesi i tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.

Teksa marrëveshja parashikon që forcat e huaja të mos sulmohen, ajo nuk parashikon ndonjë dispozitë në lidhje me veprimet e talebanëve ndaj forcave afgane të sigurisë.

Talebanët të cilët vazhdojnë negociatat në Doha me qeverinë afgane, me sulme të ashpra të ndërmarra në mënyrë të njëkohshme që nga qershori dominuan me shpejtësi shumë rajone dhe qendra provinciale në muajin e fundit.

Po ashtu talebanët rrethuan kryeqytetin Kabul dhe teksa filluan të marrin nën kontroll lagjet periferike ata bënë thirrje për të marrë në dorëzim në mënyrë paqësore qeverinë dhe kryeqytetin.

Pasi presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi dhe forcat qeveritare u larguan nga kryeqyteti, talebanët filluan të marrin kontrollin e plotë të kryeqytetit.

Kategoritë
BotaLajme