Ushtarët armenë hapin zjarr ndaj pozicioneve azerbajxhanase në Tovuz

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit njoftoi të hënën se ushtarët armenë kanë hapur zjarr ndaj pozicioneve azerbajxhanase në drejtim të distriktit Tovuz të kufirit ndërmjet dy vendeve.

Siç raporton Ministria përmes një deklarate me shkrim, më datë 3 prill, në orën 23:00 me kohën lokale, pozicionet e ushtrisë së Azerbajxhanit në drejtim të fshatit Agdam të distriktit Tovuz u rrahën me zjarr artilerie nga ushtria armene.

“Ushtria azerbajxhanase u kundërpërgjigj si masë parandaluese. Në sulm nuk u regjistruan humbje të personelit apo pajisjeve”, sqarohet në deklaratën e Ministrisë azerbajxhanase të Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, Azerbajxhani ka neutralizuar mbi 55 mijë mina dhe municione (të pashpërthyera) të vendosura nga ushtria armene në zonat e çliruara.

Vazhdojnë aktivitetet e njësive azerbajxhanase për pastrimin e minave të vendosura në të kaluarën nga forcat armene në rajonin e Karabakut dhe në krahinat përreth, të cilat Azerbajxhani i çliroi nga pushtimi armen. Autoritetet ushtarake vlerësojnë se në zonat e çliruara ka qindra-mijëra mina të instaluara nga ushtria armene.

Që nga përfundimi i Luftës II të Karabakut më 10 nëntor 2020 ekspertët e pastrimit të minave kanë skanuar një sipërfaqe prej 23 mijë hektarësh. Në zonat e skanuara janë zbuluar dhe neutralizuan mbi 26 mijë municione, më shumë se 19 mijë mina antipersonel dhe 10 mijë mina antitank.

Si pasojë e shpërthimit të minave të vendosura nga forcat armene gjatë periudhës së pushtimit, që nga 10 nëntori 2020 e këtej kanë humbur jetën 37 azerbajxhanas – 30 civilë e 7 ushtarakë, si dhe janë plagosur 160 të tjerë – 49 civilë e 111 ushtarakë.

Armenia i ka dorëzuar Azerbajxhanit hartat e 92 mijë minave të instaluara në Fuzuli e Zangilan, si dhe hartën e 97 mijë minave të vendosura në Agdam, distrikte azerbajxhanase dikur nën pushtimin armen, në këmbim të shtetasve armenë të paraburgosur në Azerbajxhan.

Më vonë, administrata e Erevanit i dha Bakusë zyrtare të gjitha hartat e minave (të instaluara gjatë pushtimit në territorin azerbajxhanas) në këmbim të disa ushtarëve armenë të kapur nga Azerbajxhani.

Zyrtarët azerbajxhanas kanë bërë me dije se saktësia e hartave të siguruara nga Armenia është 25%.

Kategoritë
BotaLajme