Ushtaret femra duhet të marshojnë me taka, vendimi shkakton polemika në Ukrainë

Zanati i armëve nuk përputhet shumë me ndjekjen e modës. Për këtë arsye kanë shkaktuar reagime të forta fotot e publikuara nga ministria ukrainase e mbrojtjes, në të cilat ushtaret e reja femra po stërviteshin për një paradë, të veshura me uniformë por me taka.

Kievi po organizon një marshim për 24 gushtin e ardhshëm, në kuadër të 30 vjetorit të pavarësisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, dhe qeveria publikoi fotografitë e provave duke shkaktuar polemika.

Një nga kadetet komentonte se për herë të parë ishin stërvitur me taka: pak e vështirë por po përpiqeshin. Në parlamentin e Kiev, deputetët e afërt me ish presidentin Petro Poroshenko i sollën ministrit të mbrojtjes këpucë grash dhe i kërkuan që dhe ai të vishte këpucë me taka në paradë.

Sipas deputeteve në sallë, ky vendim ishte i palogjikshëm, pasi gratë në ushtri rrezikojnë jetën njësoj si kolegët e tyre meshkuj, dhe nuk duhet të torturohen në këtë mënyrë. Nënkryetarja e parlamentit kërkoi që autoritetet përkatëse të kërkonin menjëherë falje sepse kishin poshtëruar gratë dhe propozoi një hetim.

Ukraina është e impenjuar në përplasjen në lindje të vendit me separatist që mbështeten nga Rusia, në një konflikt që ka vrarë më shumë se 13 mijë persona që nga viti 2014.

Në këtë luftë kanë marrë pjesë më shumë se 13.500 ushtare femra.

Kategoritë
BotaLajme