Ushtarët izraelitë zgjojnë 13 fëmijë në Hebron në mes të natës dhe i fotografojnë

Organizata izraelite e të drejtave të njeriut B’Tselem publikoi pamje të incidentit në llogarinë e saj në rrjetet sociale.

Ushtarët izraelitë kanë fotografuar 13 fëmijë duke i zgjuar nga gjumi gjatë një bastisjeje në mesnatë në qytetin Hebron në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Organizata izraelite e të drejtave të njeriut B’Tselem publikoi pamje të incidentit në llogarinë e saj në rrjetet sociale.

Në video shihet se ushtarët izraelitë, të cilët bastisën një shtëpi palestineze në Hebron natën, zgjuan 13 fëmijët dhe i nxorën në oborr të shtëpisë, teksa familjarët përpiqeshin të qetësonin disa fëmijë që qanin dhe mblodhën fëmijët së bashku duke ndjekur urdhrat e ushtarëve.

Në pamje pasqyrohen momentet kur ushtari, duke fotografuar fëmijët, i urdhëron ata të buzëqeshin duke përdorur shprehjen “cheese”.

Duke folur për gazetën Yedioth Ahranoth, zëdhënësi i ushtrisë izraelite tha se incidenti ka ndodhur në shtator dhe se veprimet e ushtarëve ishin “të papërshtatshme”, prandaj ata u paralajmëruan dhe se do të forcohen masat për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të tilla.

Zëdhënësi argumentoi se ushtarët bastisën shtëpinë në fjalë për të identifikuar ata që hodhën gurë në një vendbanim hebre aty pranë.

Është e paligjshme që ushtarët izraelitë të bëjnë fotografi të të miturve

Njoftohet se është e paligjshme që ushtarët izraelitë të fotografojnë të miturit.

Në deklaratën e tij për këtë temë, B’tselem theksoi se “këto imazhe zbulojnë se si palestinezët që jetojnë nën okupim, shqetësohen në mënyrë arbitrare dhe se si të drejtat e tyre shkelen nga ushtarët”.

“Duket se të gjithë palestinezët, duke përfshirë vajzat dhe djemtë e moshës së shkollës fillore, përbëjnë një kërcënim për ushtrinë izraelite,” tha organizata izraelite.

Kategoritë
BotaLajme