Ushtria amerikane e bën të detyrueshëm vaksinimin kundër COVID-19

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes do të kërkojë nga i gjithë personeli në shërbim aktiv të vaksinohet kundër Covid-19 jo më vonë se mesi i shtatorit, njoftoi të hënën Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

“Unë do të kërkoj miratimin e Presidentit për t’i bërë vaksinat të detyrueshme jo më vonë se mesi i shtatorit, ose menjëherë pas miratimit nga Agjencia amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) të vaksinës Phizer/BioNTech”, shkroi Austin në një njoftim për forcat amerikane.

Pritet që Agjencia amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) t’i japë miratim të plotë në shtator vaksinës së zhvilluar nga Phizer/BioNTech kundër koronavirusit të ri Covid-19.

Pas lecensimit të vaksinës nga FDA, Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) mund ta bëjë të detyrueshme vaksinimin e efektivit.

Sipas Pentagonit deri më tani më shumë se 1 milion ushtarë amerikanë kanë bërë 2 doza antiCovid, kurse më shumë se 237 mijë kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.

Menjëherë pas bërjes publike të mesazhit të Austin, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden bëri një deklaratë me shkrim, ku thotë se ai e ka pritur me kënaqësi vendimin e Sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin.

“Mbështes fuqishëm mesazhin që sekretari Austin u ka dërguar forcave tona ushtarake për të përfshirë ushtarët tanë në listën e detyrueshme për vaksinim jo më vonë se mesi i shtatorit. (…) Është shumë e rëndësishme që ushtarët tanë të vaksinohen, sidomos kundër variantit Delta. Për të shpëtuar nga pandemia duhen vaksinuar sa më parë të gjithë qytetarët, jo vetëm personeli ushtarak”,- thotë Biden në deklaratën e tij.

Kategoritë
BotaLajme