Ushtria gjermane regjistron rritje të incidenteve që lidhen me ekstremizmin e djathtë

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, David Helmbold, para gazetarëve në Berlin tha se numri i të dyshuarve të ekstremit të djathtë është rritur nga 363 në 2019 në 477 raste gjatë vitit të kaluar.

Ministria gjermane e Mbrojtjes deklaroi se janë regjistruar rritje të konsiderueshme të numrit të incidenteve që lidhen me ekstremizmin e djathtë në ushtrinë gjermane.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, David Helmbold, para gazetarëve në Berlin tha se numri i të dyshuarve të ekstremit të djathtë është rritur nga 363 në 2019 në 477 raste gjatë vitit të kaluar.

Agjencia e Kundërzbulimit të Ushtrisë (MAD) dje në Bundestag paraqiti raportin për vitin 2020, ku theksohet se arsyet më të shpeshta për nisjen e hetimeve për rastet e ekstremizmit të djathtë janë deklaratat armiqësore ndaj të huajve, apo mesazhet ksenofobike në mediat sociale.

“Shihet se kërcënimet ekstremiste ndaj vlerave themelore të shoqërisë sonë të hapur, për fat të keq kanë vazhduar në një nivel relativisht të lartë”, tha në raportin e saj shefja e MAD, Martina Rosenberg.

Megjithëse Ministria e Mbrojtjes është angazhuar për të ndjekur një politikë të mostolerimit për sa i përket luftës kundër ekstremizmit të djathtë në ushtri, vitet e fundit janë regjistruar një sërë incidentesh.

Në fillim të këtij viti kanë nisur hetime për disa incidentet të ekstremit të djathtë dhe dhunës seksuale në njësitin e Gardës së Nderit.

Agjencia e Kundërzbulimit të Ushtrisë, në 20 janar të këtij viti deklaroi se në ushtri ka afër 600 të dyshuar për ekstremizëm të djathtë. Njësiti elitar i antiterrorit KSK konsiderohet si një problem i madh me 20 pjesëtarë që dyshohen se janë mbështetës të ekstremit të djathtë.

Kategoritë
BotaLajme