Ushtria izraelite plagos 5 libanezë në protestat në kufirin libanezo-izraelit

Protestuesit përdorën gurë ndaj një tanku izraelit dhe nga ana tjetër forcat izraelite përdorën bombola gazi lotsjellës, duke lënë të plagosur pesë persona

Pesë protestues libanezë janë plagosur pasi ushtria izraelite përdori gaz lotsjellës ndaj tyre në protestën e mbajtur në kufirin libanezo-izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia libaneze e lajmeve raportoi se protestuesit “u ngjitën në murin e betonit që ndan Libanin dhe Palestinën e pushtuar në qytetin jugor (libanez) Adaisseh”.

Sipas agjencisë, protestuesit përdorën gurë ndaj një tanku izraelit dhe nga ana tjetër forcat izraelite përdorën bombola gazi lotsjellës, duke lënë të plagosur pesë persona.

Agjencia raportoi se protestuesit po ashtu “asgjësuan kamerat e përgjimit të instaluara në kullën e hekurt mbi mur”.

Në kufirin libanezo-izraelit çdo ditë organizohen protesta në mbështetje të Palestinës kundër agresionit izraelit.

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë në sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 213, përfshirë 61 fëmijë dhe 36 gra. Të paktën 1.400 persona po ashtu janë plagosur.

Dhjetë izraelitë po ashtu janë vrarë si pasojë e raketave të lëshuara nga Gaza drejt Izraelit.

Ushtria izraelite po kryen sulme ajrore që nga 10 maji, duke lënë pas gjurmë masive shkatërrimi. Zyra të medias dhe qendra shëndetësore po ashtu janë ndër strukturat e shënjestruara.

Tensionet që filluan në Kudsin Lindor gjatë muajit të Ramazanit u përhapën në Gaza si rezultat i sulmeve izraelite ndaj besimtarëve muslimanë në xhaminë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet xhamia Al-Aksa, në vitin 1967 në luftën arabo-izraelite. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, një veprim që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Kategoritë
BotaLajme