Varhelyi: Ne do ta integrojmë Shqipërinë në mënyrë efikase në Bashkimin Evropian

Pas takimit, Rama dhe Varhelyi mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet që lidhen me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, luftën Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të vendit, raporton Anadolu Agency(AA).

Pas takimit, Rama dhe Varhelyi mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet që lidhen me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, luftën Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera.

Rama ka theksuar se me komisionerin Varhelyi kanë diskutuar mbi aktualitetin e procesit të integrimit evropian, marrëdhëniet rajonale dhe situatën e luftës në Ukrainë.

“Unë e ndava dhe me komisionerin që ne jemi në një kurs që e ka përcaktuar pozicionin tonë si një pozicion konstruktiv dhe si një pozicion të lidhur me pozicionin e Maqedonisë së Veriut dhe natyrisht në konformitet me pozicionin e Komisionit dhe me pozicionin e Këshillit, për mos ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut. Ky është pozicionin ynë aktual”, tha Rama në lidhje me procesin e integrimit evropian.

Në lidhje me Kosovën dhe dialogun me Serbinë, Rama tha se “Kosova është një realitet që është aty, nuk e ndryshon dot askush. Serbia po ashtu. Është në interesin e të dyja palëve që të bëjnë paqen përfundimtare, nuk diskutohet”.

Rama theksoi se nisma “Ballkani i Hapur” është krijuar për të qenë gjithëpërfshirës, sipas tij “nuk është krijuar për të qenë përjashtuese”.

– “Procesi i zgjerimit ka të bëjë me stabilitetin dhe me sigurinë e Ballkanit Perëndimor”

Komisioneri i BE-së, Varhelyi, theksoi se i gjithë procesi i zgjerimit dhe integrimit evropian ka të bëjë me stabilitetin dhe me sigurinë e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se e mbështesim idenë e Korridorit 8.

“Ne do ta integrojmë Shqipërinë në mënyrë efikase në Bashkimin Evropian. Kjo është detyra që ne kemi dhe nuk duhet t’i heqim sytë nga ky angazhim i përbashkët”, tha komisioneri evropian.

Në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, Varhelyi tha se “Ramë dakord e jemi dakord që kjo luftë duhet të marrë fund menjëherë. Ne vlerësojmë së tepërmi, jo vetëm në Bruksel por do thoja në të gjitha kryeqytetet e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian rolin e rëndësishëm që po luan Shqipëria pasi Shqipëria ka qenë krah nesh gjatë gjithë këtij rrugëtimi dhe është bërë pjesë e vendimeve tona por mbi të gjitha, Shqipëria ka lehtësuar, ka moderuar pjesën më të madhe të punës në Këshillin e Sigurimit dhe Shqipëria është treguar një partner i vërtetë i yni në këtë aspekt.”

Varhelyi theksoi se po punojnë për një plan të investimeve ekonomike për Kosovën dhe shtoi se “Shpresojmë që puna për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të rifillojë dhe që do të ketë ecuri”.

Komisioneri Varhelyi gjatë vizitës në Shqipëri është takuar edhe me përfaqësues të institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Kategoritë
LajmeRajoni