Vatikan, për të parën herë, një grua në krye të administratës shtetërore

Papa Françesku ka emëruar për herë të parë një grua në krye të administratës shtetërore të Vatikanit.

“Motër Raffaella Petrini u emërua sekretare e përgjithshme e guvernatoriatit të qytetit të Vatikanit”, njoftoi Selia e Shenjtë.

Ajo është gruaja e parë që mban postin e dytë më të lartë në guvernatoriat, që mbikëqyr muzetë e Vatikanit dhe shërbime të tjera shtetërore të tij, si zyrën e thesarit dhe pullave, raporton ATSh.

Më parë, 52-vjeçarja nga Roma ishte pjesë e Kongregacionit për Ungjillizimin e Popujve dhe kryente punë misionare.

Papa Françesku është fokusuar te gratë në vendimet e tij për personelin, muajt e fundit.

Në fillim të vitit, ai e bëri teologen Nathalie Becquart gruan e parë në historinë e Kishës Katolike që shërben si nënsekretare në Sinodën e Peshkopëve.

Më pas, në gusht, Papa Françesku emëroi motër Alessandra Smerilli si Sekretare e përkohshme e Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, që fokusohet në çështjet e migrimit dhe varfërisë.

Kategoritë
BotaLajme