Vazhdimi i mandatit të EULEX-it, Qerkini: Do të ketë kompetenca ekzekutive vetëm në raport me Specialen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një letre drejtuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka njoftuar atë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për një vit.

Në letrën drejtuar Borell, Presidentja Osmani ka njoftuar se EULEX-i do të jetë me mandat teknik, pa fuqi ekzekutive dhe i bazuar vetëm në monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie.

Avokati Artan Qerkini thotë se në bazë të kësaj letre EULEX-it nuk do t’i kthehen më kompetencat ekzekutive, por sipas tij puna e Gjykatës Speciale e ndryshon këtë situatë.

“Pra EULEX-i do të ketë kompetence ekzekutive sa i përket mandatit të Gjykatës Speciale, ndërsa në sektorët tjerë të drejtësisë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”, deklaroi Qerkini për RTV Dukagjinin.

Avokati thotë se vazhdimi i mandatit të EULEX-it për një vit ndoshta mund të lidhet direkt me punën e Gjykatës Speciale.

Qerkini thotë se Kuvendi i Kosovës do të duhej të krijonte një komision hetimorë për të hetuar shkeljet e mundshme që mund të ketë bërë misioni i EULEX-it në rastet që ka trajtuar.

Kategoritë
LajmeVendi