Vdes Murat Jashari, ishte i dënuar për tentim vrasjen e Azem Vllasit

I dënuari për tentim vrasjen e Azem Vllasit, Murat Jashari, ka vdekur gjatë ditës së sotme.

Këtë e ka konfirmuar avokatja e tij, Fehmije Gashi- Bytyqi, përmes një postimi në Facebook. Ajo ka thënë se Jashari ka vdekur në Psikiatrinë Forenzike në Prishtinë ku edhe ishte duke u trajtuar.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin e trishtë se klienti im MURAT JASHARI ka vdekur në Psikiatrinë Forenzike në Prishtinë. Ndaj dhembjen me familjen Jashari nga Kumanova dhe jam tejet e pikëlluar që i ndjeri Murat për 4 vite qëndroi në paraburgim pa pasur mundësi të ishte me familjen e tij dhe ta shihte edhe një herë Orizaren e tij që e donte aq shumë”, ka shkruar ajo.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në shkurt të këtij viti, e kishte shpallur fajtor Murat Jasharin (që po gjykohej në rastin “Syri i Popullit”) për tentim vrasje të rëndë ndaj Azem Vllasit dhe për armëmbajtje pa leje.

Ndaj Jasharit gjykata kishte shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim në Institutin e Psikiastrisë Forenzike në Prishtinë.

Kategoritë
LajmeVendi