Vdes një minator në veri të Kosovës, prokuroria e cilëson të dyshimtë

Një minator në minierën “Cërnac” në Leposaviq, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra gjatë punës në horizontin e tetë, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për veri, Branislav Radoviq, përcjell Kossev të mërkurën.

Minatori i nacionalitetit serb (1962), vdiq të martën mbrëma, pas lëndimeve të marra, tash për tash, në rrethana të pasqaruara. Vdekja e tij, sipas mediave, u konstatua nga mjekët në Shtëpinë e Shëndetit në Leposaviq.

Me urdhër të prokurorit, sipas Kossevit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin për Mjekësi Ligjore në Prishtinë. Prokurori e ka cilësuar vdekjen e minatorit “si të dyshimtë”.

Ky është rasti i dytë i vdekjes në këtë minierë në 12 muajt e fundit.

Minierat në veri nuk menaxhohen nga Bordi i Trepçës i emëruar nga Qeveria e Kosovës.

Kategoritë
LajmeVendi