Vendet e BE-së premtojnë mbështetje të fortë për Moldavinë mes krizës në Ukrainë

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se do të mobilizojnë mbështetje të menjëhershme për Moldavinë për të ndihmuar vendin të menaxhojë krizën e refugjatëve ukrainas

Vendet evropiane, të udhëhequra nga Gjermania dhe Franca, sot kanë premtuar mbështetje të fortë politike, financiare dhe humanitare për Moldavinë, pasi vendi përballet me sfida në rritje për shkak të luftës në Ukrainën fqinje, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në një konferencë ndërkombëtare në Berlin tha se do të mobilizojnë mbështetje të menjëhershme për Moldavinë për të ndihmuar vendin të menaxhojë krizën e refugjatëve, të adresojë shqetësimet e sigurisë dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga Rusia.

“Ky nuk është një favor për Moldavinë. Kjo ka të bëjë me ne. Ka të bëjë edhe me sigurinë tonë. Bëhet fjalë për projektin tonë të përbashkët evropian të paqes”, tha Baerbock dhe nënvizoi se vendet e BE-së do të forcojnë bashkëpunimin e tyre me Moldavinë me një perspektivë afatgjatë.

Baerbock tha se lufta e Rusisë nuk është vetëm një sulm ndaj popullit ukrainas. “Është gjithashtu një sulm ndaj rendit tonë ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe vlerave tona”, tha ajo dhe kritikoi Moskën për kërcënimet e saj kundër vendeve në rajon.

“Të gjithë njerëzit kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre. Askush nuk duhet të jetë në mëshirën e fqinjit të tij më të fortë. As populli i Ukrainës, as populli i Moldavisë”, shtoi ajo.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, i cili bashkë-organizoi konferencën, falënderoi Moldavinë për hapjen e kufijve të saj për refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë dhe premtoi se vendet evropiane do të demonstrojnë solidaritet të fortë me vendin.

“Ky mobilizim i mbështetjes do të jetë një sukses, jo vetëm për shkak të solidaritetit apo bujarisë tonë, por edhe sepse ne e kuptojmë qartë se kemi interes të përbashkët. Siguria juaj është siguria jonë”, theksoi ai.

Kategoritë
BotaLajme