Vendimi i McDonald’s për mbylljen e restoranteve në Rusi pritet me pikëllim nga qytetarët

“Më vjen shumë keq për mbylljen. Pas shkollës ne gjithmonë uleshim në McDonald’s, bisedonim dhe hanim. Tani nuk dimë ku të shkojmë. Kudo në lagjen e Patriarkut është shumë shtrenjtë”, tha Anna.

Vendimi i McDonald’s për mbylljen e restoranteve në Rusi shkaktoi pikëllim veçanërisht tek të rinjtë, ndërsa produktet që i përkasin kompanisë shiten me çmime të larta në tregun e zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Chris Kempczinski, dje njoftoi se kompania do të mbyllë përkohësisht 850 restorante në Rusi për shkak të luftës në Ukrainë.

Pas shpalljes së vendimit, në disa restorante të McDonald’s në Rusi u krijuan radhë të gjata, ndërsa tërheq vëmendje se në faqet e internetit ku shiteshin produkte të përdorura, hamburgerët dhe disa produkte të tjera që i përkasin kësaj kompanie u vendosën me çmime të larta për shitje. Çmimet ishin deri në 150 dollarë për disa hamburgerë.

Gotat e dhuruara nga restoranti si dhurata u vunë gjithashtu në shitje online për 50 dollarë. Vlen të përmendet se disa reklama fshihen shpejt nga faqja e shitjeve.

Qytetarët janë të pikëlluar nga vendimi

McDonald’s-i i parë në Rusi u hap në sheshin “Pushkin” në Moskë në vitin 1990. Në ditën e hapjes u vizitua nga rreth 40 mijë persona, qindra qytetarë kanë pritur me orë të tëra në radhë para restorantit.

Zhvillimi në fjalë u bë një nga simbolet e fitores së kapitalizmit ndaj Bashkimit Sovjetik.

Në një prononcim për AA lidhur me vendimin e McDonald’s për mbylljen e restoranteve në Rusi, një qytetare me emrin Yekaterina tha se nuk e kupton vendimin në fjalë dhe nuk sheh asnjë logjikë në të.

Duke shprehur pikëllimin e saj, Anna tha: “Më vjen shumë keq për mbylljen. Pas shkollës ne gjithmonë uleshim në McDonald’s, bisedonim dhe hanim. Tani nuk dimë ku të shkojmë. Kudo në lagjen e Patriarkut është shumë shtrenjtë”.

Oleg, i cili nuk ishte shumë i mërzitur për vendimin tha: “Nuk jemi të lumtur që është mbyllur, por nuk ka pse të mërzitemi për këtë. Një patriot i vërtetë nuk e ndërron vendin e tij për ushqim. Vendimi për mbyllje nuk është i yni. Këto janë vendime të kompanive ndërkombëtare. Pra, le të mendojnë për rezultatin. Ne nuk i refuzuam, ata refuzuan. Ndaj u uroj atyre fat”.

Yuliya, e cila i sheh si të kuptueshme sanksionet ekonomike tha se i vjen keq për vendimin. “Është shumë keq që është mbyllur për njerëzit e rëndomtë. Tani nuk do të ketë vend për t’u ulur. Ky është një vend ku njerëzit shpesh e kalonin kohën”.

Kategoritë
BotaLajme