Vërejtjet e Zyrës së Demaçit ndaj Marrëveshjes së Rambujesë: Policia jonë do t’i ndjek pëllumbagjitë dhe taksistët e paregjistruar

Më 2 mars 1999, Zyra e Adem Demaçit, e cila deri në atë ditë ishte në shërbim të UÇK-së, e kishte ndryshuar misionin e saj, që ishte themeluar për të përfaqësuar politikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Për shkak të pakënaqësive me zhvillimet që ndodhnin në Rambuje dhe marrëveshjen që po përgatitej për t’u nënshkruar nga delegacionet kosovare dhe serbe, Zyra e Demaçit, pjesë e së cilës ishte edhe Albin Kurti, nuk kishte mundur t’i “kapërdijë” pikat e saj, për të cilat kishte reaguar me ashpërsi.

Në atë 2 mars, Zyra e Demaçit, pas heqjes dorë nga përfaqësimi i UÇK-së, deklaratës ia kishte bashkangjitur edhe një tjetër dokument, ku përfshiheshin vërejtjet ndaj projekt-propozimit për Marrëveshjen e Rambujesë dhe propozime për qëndrime të palës kosovare.

Kritika të ashpra, në këtë dokument, kishte ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Zyra e Demaçit, akuzoi ndërkombëtarët ndërmjetësues se po përligjte heqjen e autonomisë së Kosovës nga Serbia në vitin 1989. Në pikën e parë të dokumentit, alarmonte për rrezikun se Kosova do ta kishte “sigurimin publik e jo edhe atë shtetëror”.

“Kjo do të thotë se policia jonë e ardhshme do të mund t’i ndjekë hajnat dhe pllumbagjitë e taksistat e paregjistruar. P.sh. nëse gjatë periudhës kalimtare 3 vjeçare ndonjë shqiptar del në rugë dhe thëret: “Kosova Republik Shtet i pavarur”, atëherë njësoj si përpara do të vie Sigurimi shtetëror i Serbisë e ‘Jugosllavisë” (Državna Bezbednost DB, dikur UDB) dhe do të arrestojë atë shqiptar e do ta dërgojë në Serbi që të kalbet ne burgjet serbe”, thuhej në dokumentin e Zyrës së Demaçit, të siguruar nga Gazeta Express.

Në pikën 3, Zyra e Demaçit shprehte pakënaqësi që në Marrëveshjen e Rambujesë nuk përmendej askund UÇK-ja dhe trajtohej në nivelin e njësive paramilitare serbe “dhe të tjera”.

“Është i patolerueshëmdhe absolutisht i papranueshëm fakti që askund në marrëveshje nuk përmendet UÇK-ja. Sipas kësaj marrëveshjeje, UÇK-ja trajtohet në nivelin e njësive paramilitare serbe dhe atyre të tjera (askush nuk di se çka janë ato të tjerat?!) e jo si Ushtria Jugosllave’ apo policia serbe, dhe ajo duhet të çarmatoset krejt për 120 ditë ndërsa për 30 ditë duhet t’i hudhë uniformat dhe shenjëne UÇK-së”, thuhet në deklaratë”, theksohej në deklaratë.

Në deklaratën e Zyrës së Demaçit, ishin 9 pika, në të cilat jepeshin kundërshtimet dhe propozimet se si të mbante qëndrimet pala kosovare. Kjo marrëveshje, që ishte pranuar nga pala kosovare, me insistimin e ndërkombëtarëve, ishte refuzuar nga pala serbe, çfarë kishte çuar në intervenimin ushtarak të NATO-s ndaj Beogradit, një akt historik që ka sjell lirinë, e pastaj edhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia

Kategoritë
BotaLajme