Vetëm 13 persona me sindromën down të punësuar në Kosovë

Vetëm 13 persona me sindromën down janë të punësuar në të gjithë vendin, prej tyre vetëm një është i punësuar në institucione publike. Sipas shifrave zyrtare që posedon organizata “Down Syndrome Kosova” janë 980 persona me këtë sindromë, por punësimi i tyre, ani pse i garantuar me ligji, mbetet sfidë duke treguar mospërfillje edhe për idenë e një tregu pune gjithëpërfshirës dhe që siguron pjesëmarrje dinjitoze për të gjithë.

Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për sindromën down ndërsa “Down Syndrome Kosova” në vazhdimësi ka ngritur zërin për respektim të Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara sipas të cilit “Çdo punëdhënës është i obliguar të punësojë një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtorë”.

Në shumë kafiteri të vendit, gjatë muajit tetor, qytetarët kanë pasur mundësi të lexojnë shumë mesazhe për nevojat e fëmijëve e të rriturve me këtë sindromë.

Drejtoresha e organizatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri tregon për KosovaPress për aktivitetet gjatë këtij muaji.

“Në kuadër të muajit tetor, organizata ‘Down Syndrome Kosova’ ka organizuar një sërë aktivitetesh, duke filluar nga disa thënie që ne i kemi shpërndarë nëpër kafiteri dhe restorante të ndryshme të Kosovës. Përfshirë edhe ndërtesën e qeverisë. Thënie që ngërthejnë në vete mesazhe mbi potencialin e personave me sindromën down dhe nevojat që ka ky komunitet. Nevoja të cilat kërkojnë mbështetje sepse mbështetja e personave me sindromën down siguron zhvillimin e potencialit të një personi me sindromën down”, thotë ajo.

Organizata me qendra në Kosovë ofron trajnime për mësimdhënës, edukatorë si dhe për prindërit e fëmijëve me sindromën down.

Gjithashtu, drejtoresha e kësaj organizate thotë se brenda këtij programi ofrohen shërbime të cilët aftësojnë persona për tregun e punës.

“Ne deri më tani kemi arritur të punësojmë rreth 13 persona me sindromën down në nivel vendi. Mirëpo, vazhdon të mbetet shumë shqetësuese numri i vogël i të punësuarve. Si dhe nga ky numër i 13 personave që i kemi të punësuar, vetëm një person është i punësuar në institucion publik. Do të thotë të gjithë të tjerët anëtarë janë të punësuar në kompani të ndryshme apo institucione private”, deklaron ajo.

Organizata “Down Syndrome Kosova” përfaqëson komunitetin në nivel vendi, mirëpo shtrirje kanë vetëm në katër regjione Prishtinë, Mitrovicë, Prizren dhe Ferizaj. 300 fëmijë e të rritur marrin shërbime direkte të cilat zhvillojnë potencialin e tyre.

“Brenda këtyre qendrave janë 300 persona që marrin shërbime direkte. Mirëpo, përveç këtyre personave që ne i mbështesim me shërbime direkte, shoqata ‘Down Syndrome Kosova’ mbështet secilin person me sindromën down në rast se paraqitet nevoja. Përveç, mbështetjes direkte të këtyre personave në ato regjione ku ne kemi qendra, ne mbështesim personat edhe në ato regjione ku nuk kemi qendra. Qoftë përmes realizimit të drejtës, qoftë nëse kanë kërkesë regjistrohen në kopsht apo në shkollë përmes trajnimeve që ne i ofrojmë”, shprehet ajo.

Hajdini-Beqiri thotë se po vazhdojnë të jenë të zëshëm ndaj institucioneve për nevojën për shërbime, duke i njoftuar për rëndësinë që kanë për një person me sindromën down.

“Në bazë të statistikave që kemi si shoqatë, ne kemi të regjistruar mbi 980 persona me sindromën down. Sa i përket shërbimeve apo mbështetjeve të tjera për të cilat kanë nevojë personat me sindromën down, ende të lë shumë për të dëshiruar. Shërbimet të cilat ne i ofrojmë dhe për fat të keq nuk ofrohen nga institucionet publike përkatëse janë një sfidë shumë e madhe për neve. Sepse, shërbimet terapeutike kanë kosto të lartë financiare si dhe në anën tjetër këto shërbime janë të domosdoshme për zhvillimin e potencialit të një individi me sindromën down”, tregon ajo për KosovaPress.

Që nga muaji mars, në oborrin e Qeverisë së Kosovës po gjuhet një top, ku simbolizohet kërkesa për shërbime terapeutike.

Kategoritë
LajmeVendi