Vijon kaosi në Kinë, fshatra të tërë futen në karantinë për shkak të koronavirusit

Autoritetet në Kinë vijojnë të ndjekin një politikë të rreptë për të mbajtur nën kontroll përhapjen e koronavirusit. Në kuadër të “tolerancës zero” ndaj koronavirusit, banorët nga lagje të tëra në Shangai janë të detyruar të zhvendosen në qendrat e karantinës dhjetëra kilometra larg.

BBC raporton se banorët e një zone në veri të qytetit kanë marrë njoftim nga zyrtarët e partisë për lëvizjen në karantinë. Ata do të qëndrojnë atje për të paktën një javë. Fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara mund të përjashtohen nga rregullat e reja.

Por ajo që është e çuditshme është që në karantinë do të futen edhe ata që rezultojnë negativë për Covid-19. Një episod  i ngjashëm ndodhi pak ditë më parë në një fshat tjetër, Beikai, nga i cili të paktën 1000 njerëz u evakuuan gjatë natës në strehim të përkohshëm për të dezinfektuar zonën.

Banorëve iu kërkua të mblidhnin gjërat e tyre, por të linin hapur dollapët , si dhe portën kryesore të  shtëpisë së tyre. Kafshët shtëpiake mbetën pas, ndërsa autoritetet njoftuan se do të kujdeseshin për to.

Kategoritë
BotaLajme