Vizita e rabinit izraelit në Iran shkakton polemika

Ligji i Iranit ndalon qytetarët izraelitë të vizitojnë vendin

Vizita e papritur e një rabini izraelit ultra-ortodoks në Iran ka shkaktuar polemika, sa i përket hyrjes së tij të qetë dhe lëvizjes pa probleme në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Jacob Yisrael Herzog, një shtetas izraelit që jeton në Kuds, kohët e fundit udhëtoi në Iran dhe vizitoi vende të njohura fetare në të gjithë vendin.

Herzog dokumentoi gjerësisht udhëtimin e tij të parë në Iran, duke postuar foto në mediat sociale të cilat u përhapën brenda dhe jashtë vendit dhe duke shkaktuar polemika.

Qytetarëve izraelitë u ndalohet të udhëtojnë në Iran që nga revolucioni iranian i vitit 1979, që shkaktoi prishje të marrëdhënieve diplomatike midis dy armiqve të mëdhenj.

Vizita e rabinit izraelit erdhi në mes të tensioneve të larta midis Teheranit dhe Tel Avivit, të nxitura nga një seri sulmesh sabotuese në vendet kryesore bërthamore iraniane në vitet e fundit, për të cilat Irani fajësoi Izraelin.

Sipas burimeve të besueshme, Herzog, me shtetësi të dyfishtë, me pasaporta izraelite dhe amerikane, përdori pasaportën e tij amerikane për të siguruar vizën e udhëtimit në Iran.

Ai kishte përdorur më parë të njëjtën metodë për të udhëtuar në Arabinë Saudite, ku u ofron shërbime emigrantëve hebrenj, sipas raporteve.

Faqja e tij në Twitter, e cila e prezanton atë si “Krye Rabin i Arabisë Saudite” dhe “promovues i dialogut ndërfetar”, është e mbushur me fotografi nga udhëtimet e tij në mbretëri.

Vizita e tij në Iran, megjithatë, ka shkaktuar habi.

Homayoun Samahih, përfaqësues i hebrenjve iranianë në parlament, u shtir sikur nuk ishte në dijeni për vizitën e rabinit në Iran. Deputeti u tha mediave lokale se nuk kishte informacion se kush e ftoi rabinin izraelit.

Fotografitë e shpërndara në faqet e tij të mediave sociale tregojnë Herzogun duke vizituar sinagogën Yusuf Abad në Teheranin qendror, faltoren muslimane të Imamzadeh Saleh në Teheranin verior, një spital hebre në Teheran dhe varrin e Esterit dhe Mordekait në qytetin Hamadan në Iranin perëndimor.

Në mediat sociale, njerëzit shpërndanë fotot e Herzogut me mbishkrime që shprehnin habinë për vizitën e tij dhe pyesnin se si mundi të bënte vizitën kur shtetasve izraelitë u ndalohet hyrja në Iran.

Një përdorues i mediave sociale tha se vizita pa probleme e rabinit në Iran dhe lëvizja e lirë brenda vendit “nuk ishte një gabim”, por një “skandal”, duke goditur autoritetet.

Një përdorues tjetër pyeti se “me ftesë të kujt erdhi ai në Iran”, duke e quajtur praninë e tij në vend “të pajustifikueshme”.

Një e përditshme konservatore iraniane, Keyhan, tha se rabini mund të kishte qenë një spiun izraelit, duke kërkuar shpjegime për vizitën e tij nga autoritetet.

Asnjë zyrtar i lartë qeveritar nuk është prononcuar deri më tani lidhur me këtë çështje.

Kategoritë
BotaLajme