Vllasi thotë se sanksionet e ShBA-së do të reduktojnë ndikimin e Serbisë në veri të Kosovës

Avokati kosovar, Azem Vllasi, thotë se veprimi i fundit i ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të sanksionuar një listë personash që kanë vepruar në veri, do të ndikojë edhe në reduktimin e ndikimit të Serbisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Vllasi thotë se lidhjet e Veselinoviqit dhe Radojiqiqit mbërrijnë deri në zyrën e Vuçiqit në Beograd dhe se bashkë me këtë të fundit kontrollojnë edhe “Listën Serbe” të Goran Rakiqit.

Zvonko Veselinoviq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiqiq, bashkë me shokë, të mërkurën e 8 dhjetorit kanë marrë një goditje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tashmë bashkë me bizneset e tyre brenda dhe jashtë Kosovës gjenden në “listën e zezë” të Washingtonit.

Këto sanksione janë vendosur nga Departamenti amerikan i Thesarit, të cilët grupin e Veselinoviqit që vepron në veri të Republikës së Kosovës e konsiderojnë si kriminal dhe tepër të rrezikshëm.

Avokati i njohur kosovar dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend dhe rajon, Azem Vllasi, në një përgjigje për Gazetën Express, pohon se një veprim i tillë amerikan do të reduktojë influencën e Serbisë në veri të Republikës së Kosovës.

Vllasi thoë se Veselinoviq dhe Radojiqiq kanë lidhje të shumta në Serbi që mbërrijnë tek majat e pushtetit në Serbi dhe se këta të fundit në bashkëpunim me Aleksandër Vuçiqin kontrollojnë edhe Listën Serbe.

“Po. Kjo është vetëm fillimi me raste më të njohura. Zvonko V. e Milan R. kanë lidhje të shumta me partnerë nga Serbia që lidhen edhe me majat e pushtetit.  Në bashkëpunim të ngushtë me kreun e pushtetit të Serbisë  e kontrollojnë Listën serbe në Kosovë. Kjo është e njohur”, ka thënë Vllasi për Express kur është pyetur për impaktin që do të ketë një veprim i tillë i amerikanëve në funksionimin e veriut dhe nëse do të shkëputen mundësitë e Serbisë për ndikim në atë pjesë të Kosovës.

Vllasi tutje thotë se mbetet të shihet se a do të pasojnë edhe masa ligjore ndaj të sanksionuarve dhe paralajmëron se SHBA’ja do të vazhdojë me masa të tilla kundër krimit të organizuar në të gjithë rajonin.

“Mbetet të shihet në vazhdim zhvillimi i lëmshit, lidhjet e tyre. Dhe të shihet a do të pasojnë masa ligjore ndaj tyre. Administrata e SHBA do të vazhdoi me masa të tilla kundër krimit të organizuar në gjithë regjionin”, ka përfunduar për Express, Azem Vllasi.

Sanksionet e djeshme të SHBA’së për grupin e Veselinoviqit janë mirëpritur nga krerët e shtetit të Kosovës.

“I mirëpres sanksionet e SHBA’së për Veselinoviqin dhe grupin e krimit të organizuar transnacional nga veriu i Kosovës. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për rend dhe ligj dhe për bashkëpunim me SHBA’në që rajoni ynë të mos bëhet një vend i sigurt për grupe të tilla të krimit”, ka shkruar shefja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndërkohë kryeministri i Republikës, Albin Kurti, ka thënë se tashmë Kosova duhet të bëjë pjesën e vet, që të sanksionuarit të mos mbesin vetëm të sanksionuar të Amerikës, por që t’i nënshtrohen sanksioneve, ligjit dhe drejtësisë në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi