Vota e shqiptarëve i siguron Burim Ramajt vendin në qeverinë e komunës zvicerane

E diela e 7 marsit, në gjithë Zvicrën ishte ditë referendumesh dhe votimesh. Në nivel vendi, është votuar për tri iniciativa popullore ndërsa në kantone dhe komuna janë votuar shumë iniciativa lokale e kantonale. Por, në disa kantone, si në Freiburg, Vaud, Solothurn etj. janë zhvilluar edhe zgjedhje të legjislativit dhe ekzekutivit, në nivele komunale.

Ndërkohë që për zgjedhjet legjislative (për asambletë komunale) nga komuniteti shqiptar ka pasur shumë kandidatë dhe mjaft fitues, kryesisht në komunat e Kantonit Vaud, është krejtësisht ndryshe puna me ekzekutivin. Për shkaqe që merren me mend, këtu, shqiptarët janë ende tepër të rrallë ose më saktë, janë vetëm dy në gjithë Zvicrën. Dhe, në këtë “shoqëri të zgjedhur” nga e diela, 7 mars, bën pjesë edhe Burim Ramaj.

Ai është zgjedhur në trupin ekzekutiv të komunës Wünnewil-Flamatt të Kantonit të Freiburgut. Burimi është pjesë e suksesit që partia e tij FDP ka realizuar në këtë komunë, duke dyfishuar numrin e vendeve në ekzekutiv, nga 2 sa i kishte deri dje, në 4. Kështu, kjo parti ka tani shumicën, në përbërjen prej 7 anëtarëve.

Por, kush është Burim Ramaj dhe ku e sheh ai shkakun e suksesit në këto zgjedhje? Në një bisedë me albinfo.ch ai, për zgjedhjen e tij falënderon në radhë të parë komunitetin shqiptar. Dhe, kjo, në një komunë ku së paku 4.7% flasin shqip (gjuha më e përhapur pas gjermanishtes) ka sigurisht peshën e vet… “Kjo shifër është e vjetër dhe nuk përfshin edhe ata që ndërkohë janë natyralizuar. Prandaj ka më shumë shqiptarë”, shprehet i bindur Ramaj.

Burim Ramaj është i lindur në vitin në Prishtinë ndërsa me prejardhje është nga Stublla e Ëpërme, Komuna e Vitisë. Ka ardhur në Zvicër në verën e 1988, përmes bashkimit familjar, tek babai.

Me profesion është jurist i diplomuar në Universitetin e Fribourgut. Po ashtu ka qenë i punësuar në ketë universitet si asistent për 5 vite. Momentalisht është këshilltar juridik i pavarur për ndërmarrje të vogla dhe të mesme (KMU). I martuar, që nga 2019.

Ndërsa është interesante rruga jo shumë tipike, e cila e ka sjellë Burimin në këtë post politik. “Unë rrugëtim dhe bagazh politik nuk kam, sepse jam i posa-ardhur në FDP (fundviti 2020) dhe kjo është kandidatura e parë për ekzekutiv”, shprehet Ramaj për albinfo.ch. Më tej ai precizon: përjashto një vit (2015-2016) kur kam fituar një vend në legjislaturë si kandidat i listës të rinjve të pavarur”.

Duhet të nënvizohet se mbështetjen kryesore e kisha nga bashkëkombësit e mi, të cilët i njoh kryesisht edhe personalisht dhe të cilët më kanë besuar”, pranon ai.

Ndërsa duke folur për përcaktimin e tij për një parti si ajo liberale, ai thotë: “FDP njihet si parti demokrate liberale e djathtë. Unë nga parimet e mia jam me konotacion të djathtë, por në qëndrim, liberal. Andaj me është dukur parti e përshtatshme”.

Sa i përket qëndrimit të FDP ndaj të huajve, ai, sipas Burimit “është paksa i ngurtë por korrekt”.  Por, vazhdon ai  “unë mendoj që politikëbërja në nivelin komunal është më personale, andaj edhe qëndrimi i degës lokale do të jetë me liberal kur shohin se një komunitet (shqiptar) – po thuaj se i tërë – e ka votuar FDP. Në kuptimin e kontratës sociale duhet të punojmë pra së bashku për kultivim të vlerave si dhe për integrim, por pa u asimiluar!”, shprehet ai për albinfo.ch.

Si në komunat tjera, edhe këtu në Wünnewil-Flamatt, e drejta e votës në zgjedhjet komunale u lejohet edhe të huajve me leje të qëndrimit C.

Por, çfarë resori pritet të drejtojë Burim Ramaj në qeverinë e komunës së tij? “Resori ende nuk është caktuar, por ma merr mendja që do të ndahet sipas përgatitjes sime profesionale (jurist). Njëkohësisht do të vazhdoj me punën në profesionin tim. Këtu, Burimi zbulon për albinfo.ch një segment interesant të fushës së interesimit të tij profesional dhe intelektual: Ai është duke punuar tezën e doktoratës e cila e trajton pluralizmin ligjor përmes të drejtës zakonore shqiptare.

Sa u përket të huajve në komunën e tij, Ramaj thotë: “ata mund të presin respektivisht mund të jenë te sigurt, se mua më kanë person kontakti, person të besueshëm si dhe përfaqësues direkt të interesave të tyre”.

Edhe për lidhjen e tij me vendlindjen ai ka një shpjegim të bukur: “lidhjet i mbaj pa dallime rajonale sepse duke llogaritur mikpritjen shqiptare e cila trashëgohet edhe në Zvicër, konsideroj se e kam nga një vend në secilin rajon ku flitet shqipja!.

Ndërsa ne, duke i uruar për fitoren e rëndësishme, mundemi të shprehim admirimin, veç tjerash edhe për zotërimin e përsosur të shqipes nga ai. Diçka që nuk është e vetëkuptueshme për një të ri të brezit të dytë, i cili praktikisht gjithë jetën e deritashme e ka kaluar në Zvicër.

Kategoritë
BotaLajme