Votimi në Bujanoc i qytetarëve serbë nga Kosova, Kamberi thotë se mund të ketë tensione

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka votuar sot në zgjedhjet që po mbahen në Serbi.

Ai para mediave ka deklaruar se ka votuar vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe jo ato presidenciale, duke thënë se mjerisht asnjë nga kandidatët për president të Serbisë, nuk ka pasur ndonjë ofertë për shqiptarët apo pakicat në përgjithësi.

I pyetur edhe për mos-lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe dërgimin e tyre për të votuar në Bujanoc, Kamberi ka thënë se ky nuk ka qenë një ndër vendimet më fatlume të autoriteteve serbe.

“Po sot ka pasur disa transporte të organizuara të qytetarëve serbë nga Kosova që kanë ardhur për të votuar në Bujanoc. Kjo pasi që Serbia nuk bëri kërkesë për të mbajtur zgjedhjet në një territor tjetër, prandaj ata i kanë orientuar që një pjesë e tyre, Anamorava sidomos, ku është Gjilani, Vitia, Novobërda dhe Kamenica do të votojnë në Bujanoc. Nuk është vendimi më fatlum që njerëzit të votojnë në Bunajoc, pasi që mund të ketë frustrime, ndoshta edhe ngritje të tensioneve nëse ata vendosin të festojnë nëpër qytetin e Bujanocit me parolla, ashtu siç e kanë zakon”, ka thënë Kamberi, transmeton lajmi.net.

Deputeti shqiptar ka theksuar edhe një herë që do të kërkojë të punohet më shumë për të drejtat e pakicave në Serbi, pasi që sipas tij këto të drejta janë mohuar nga të gjitha qeveritë serbe deri më tani.

Kategoritë
LajmeRajoni