Vrasja e Presidentit të Haitit, Gjenerali kolumbian: E urdhëroi ish-zyrtari haitian i Drejtësisë

Autoritetet janë duke zhvilluar hetime intensive për vrasjen e presidentit Haitian pak ditë më parë. Haitianët, kolumbianët, amerikanët dhe interpoli kanë bashkuar forcat për të zbardhur rastin.

Gjenerali kolumbian thotë se vrasja është urdhëruar nga një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës haitiane.

Autoritetet kolumbiane njoftojnë se dyshimet janë të forta se ish-zyrtari i Ministrisë së Drejtësisë në Haiti, Joseph Felix Badio, mund të ketë urdhëruar vrasjen e Presidentit të Haitit Jovenel Moise. Deklaratën e bëri shefi i policisë së Kolumbisë, Gjenerali Jorge Vargas.

Presidenti Moise u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij më 7 korrik nga vrasës të armatosur. Në hetimin e ndërmarrë nga autoritetet haitiane dhe kolumbiane, së bashku me Interpol, ku nuk ka munguar edhe ndihma amerikane, për vrasjen e presidentit, deri më tani ngjan se ka qenë zyrtari haitian Badio që ka dhënë urdhër për atentatin.

“Joseph Felix Badio, ish zyrtar i ministrisë së Drejtësisë në Haiti dhe person i shërbimeve të inteligjencës u tha dy personave të stërvitur që të eleminonin presidenti e Haitit, ”tha Vargas.

Gjenerali nuk dha prova ose dha më shumë detaje se nga erdhën informacionet. Kapadori, një nga ekzekutuesit, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë në Haiti disa orë pasi u vra presidenti. Rivera, personi tjetër, mbetet i ndaluar në Haiti ndërsa policia është ende në kërkim të Badios, i cili u shkarkua në maj nga puna.

Më shumë se 20 të dyshuar janë akuzuar si të përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasje dhe janë arrestuar. Shumica e tyre ish-ushtarë kolumbianë. Të paktën tre të dyshuar të tjerë u vranë dhe policia ka thënë se ende po kërkon të paktën shtatë të tjerë.

Qeveria e Kolumbisë ka thënë se vetëm një grup i vogël i ushtarëve kolumbianë e dinin natyrën e vërtetë të operacionit dhe se të tjerët ishin mashtruar.

Hetimet janë duke vazhduar dhe kryeministri i Përkohshëm Klod Jozef tha se qeveria do t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë.

Biletat e avionit për në Haiti, për shumicën e ish-ushtarëve kolumbianë, u blenë përmes një kompanie me bazë në Florida, ShBA e cila pretendohet se rekrutoi ushtarakët.

Kategoritë
BotaLajme