Vrasja e të riut në Deçan, babai i viktimës ankohet për padrejtësi – publikon videon nga momenti i vrasjes

Të martën është bërë rikualifikimi i veprës në rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj nga Deçani, nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”. Lidhur me këtë, familja e viktimës ka dërguar një letër publike në adresë të kryeprokurorit të shtetit dhe ambasadorit të SHBA’së, Britanisë e Gjermanisë në Prishtinë, shkruan Express

Babai i viktimës, Isuf Tetaj, në letrën publike po e akuzon prokurorin e rastit, Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.

“Agonisi djali im u vra në vendin e punës në ditën e diele nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar. Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z.Agron Uka, dje ne seancën gjygjësore në të cilën është thënë fjala përfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, ka shkruar Isuf Tetaj në letrën e tij.

Në letrën e tij publike të cilën ia ka dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi dhe ambasadorëve të vendeve të huaja në Kosovë, Isuf Tetaj ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.

Po ashtu, Isuf Tetaj në këtë letër ka bashkëngjitur edhe videon nga momenti i vrasjes së djalit të tij, në vendin e punës.

Me këtë letër, ai po kërkon që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.

Të nderuar,

Jam Isuf Tetaj, jurist me profesion i lindur në fsh. Llukë e ulët, Deqan me datë 13.05.1951, babi i djalit të vrarë ne Deqan me datë  23.09.2018  rreth orës 11:00 nga Shaban Gogaj  I cili po gjykohet në Gjykatën Themelore të Pejës.

Po ju shkruaj nga mllefi, shqetësimi dhe frika e prindit dhe familjarit të cilit ju ka vra djali dhe sic po shihet procesi është i manipuluar, ndikuar nga persona të korruptuar dhe i akuzuari nuk do të marr denimin e merituar. Me gjithë shumë fjalët publike se drejtësia në Kosovë është e ndikuar,korruptuar dhe e pa drejtë une kam shpresuar dhe besuar dhe kam pritur gjithnje duke besuar se kjo lëndë do të shqyrtohet dhe denohet në mënyrë meritore, mirepo dje me dt. 16.03.2021 u konfirmua edhe me rastin e gjykimit për vrasjen e djalit tim se hallkat e gjygjësorit në Kosovë nuk janë të pa anshme ne këtë rast prokuroria më konkretisht personi z. Agron Uka.

Agonisi djali im u vra në vendin e punës në diten e dielë nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar. Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z.Agron Uka, dje ne seancën gjygjësore në të cilën është thenë fjala perfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Ky propkuror z.Agron Uka me kërkesën e avokatit të palës së akuzuar është vendosur të ngarkohet me këtë çështje pa të drejtë, duke e larguar nga rasti Prokurorinë e Pejës e cila i ka zhvilluar të gjitha hetimet edhe e ka kompletuar lëndën në mënyrën meritore sipas veprës vrasje e rëndë me dashje:

 (aktakuzën të cilën do ta gjeni bashkëngjitur ne këtë shkresë dhe provën kryesore video inqizimin e qartë si rrezja e diellit se si u vra djali im) të cilën video ju lutem ta shiqoni vet, personalisht ju të nderuar të gjithë që e pranoni këtë material dhe ta gjykoni secili nga cilësia e qytetarit të Kosovës dhe titullarit të institucionit dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, një vendi ku po pretendojmë të kemi gjygjësi të drejtë dhe të pa ndikuar. Ju luteni ta gjykoni vet secili se a është vrasje nga pakujdesia apo vrasje e rëndë me dashje. 

Për dijeninë e juaj me një kërkim të thjesht në internet të secilit nga ne e gjejmë se ky prokuror i njëjti z. Agron Uka  ka rikualifikuar së paku edhe një rast tjetër duke i ulur bazën për denim të të akuzuarit per informaten e juaj rasti: http://ëëë.rolpik.org/gjykimi-per-vrasjen-ne-bresalc-te-gjilanit-prokurori-ia-lehteson-vepren-penale-te-akuzuarit/.

A thu ky prokuror dhe ai i cili e ka ngarkuar në këtë qeshtje qenkan të specializuar për të rikualifikuar veprat dhe zbutjen e denimeve me qëllime përfitimi apo të korruptuar jo profesional dhe pa integritet.

Te nderur    z. A. Lumezi; 

                      z. J. Maloku;

                      z. B. Isufi;

                      z. H. Derguti

Ju lutem të ndani 1 min kohë nga koha e juaj e qmuar dhe ta shiqoni këtë video në cilësinë e titullarit të institucionit që drejtoni dhe në cilësinë e prindit.

I qetë dhe i heshtur i mllefosur dhe i vrarë në shpirt e kam përcjell këtë proces gjygjësor gjatë tërë kohës per me shume se 2 vite me shpresën që do të vendoset drejtësia dhe sic po shihet kjo nuk do të ndodh.

Nuk po kërkoj asgjë tjetër drejtësi, drejtësi dhe vetëm drejtësi gjykojeni për një cast djalin tuaj në vend të Agonisit tim i cili në një ditë të dielë kur njerëzit normal pushojnë ishte duke punuar për ekzistencën e familjes dhe fëmijve të tij dhe të vritet në këtë mënyrë në vendin e punës dhe vrasësi të mos marr denimin e merituar.

A thu po jetojmë në një vend ku kemi gjygjësi drejtësi dhe institucione demokratike apo duhet me kanun ti zgjidhim rastet.

I lënduar rëndë kërkoj nga ju që në mënyrë të shpejtë të merrni masat  dhe veprimet si më poshtë:

–        Të ndërpritet nje aktgjykim i pa drejte dhe jo meritor

–        Perjashtimi i prokurorit  dhe trupit gjykues si dhe ngritja e hetimeve dhe procedures disiplinore ndaj prokurorit z. Agron Uka

–        Te rihapet gjykimi me qëllim të vlerësimit meritor të provave

–        Te vendoset gjykim i drejte dhe meritor.

Unë ende kam shpresë së kjo do të ndodh dhe drejtësia do të vihet në vend.

PS:  Kjo shkrese se bashku me aktakuzen dhe proven kryesore video inqizimin do të ju deponohet edhe në form fizike në protokollin e institucionit tuaj.

Isuf Tetaj

Ndryshe, Shaban Gogaj akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetaj në shtatorin e vitit 2018 në kompaninë “Gogaj Ag” dhe për veprën penale të armëmbajtjes paleje.

Përveç Gogaj, për armëmbajtje paleje, akuzohet edhe i pandehuri Isuf Cacaj.

Këtë çështje penale e përfaqëson Prokuroria e Gjilanit, pasi Kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguri kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, duke përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin e trajtimit të njëanshëm të rastit.

Kategoritë
LajmeVendi