Vrasja në Tiranë, arrestohet bija e të dyshuarit

Pak orë pas ekzekutimit të bashkëshortit nga i ati pranë gjykatës, ku do zhvillonin seancën e divorcit, u arrestua edhe e bija e autorit të vrasjes, Dhurata Saliaj.

33-vjeçarja akuzohet si bashkëpunëtore e babait të saj, Mexhit Picari, që vrau Kudret Saliajn në sy të djalit, i cili pas gjysmë orë do të paraqitej në seancë dhe do të zgjidhte se me cilin prind do të jetonte pas ndarjes. Ajo ndodhej në tavolinë me të atin deri pak minuta para se të shkrepte armën, me të cilën plagosi dhe avokatin e viktimës Adriatik Cama.

Mësohet se para krimit, ajo është afruar t’i flasë të birit, por djali e ka refuzuar ndërsa raportohet se viktima e ka ofenduar.

Ndaj babë e bijë, rëndon akuza për “Vrasje të funksionarëve publikë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, ”Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” etj. Kudret Saliaj, babai i 3 fëmijëve kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje nga ish-vjehrri, me këmbënguljen se i rrezikohej jeta prej tij, për shkak të divorcit nga vajza e tij, Dhurata Saliaj.

Por edhe ish-vjehrri qe e vrau atë, kishte kërkuar urdhër me të njëjtin pretendim. Sherri mes dy burrave nisi për shkak të gruas me të cilën po ndahej Kudret Saliaj, e cila mbas shumë vitesh martesë, u denoncua prej tij dhe fëmijëve dhe u dënua për dhunë në familje.

Kategoritë
LajmeRajoni