Vritet një ushtar ukrainas e një tjetër mbeti i plagosur pas shpërthimit të luftimeve me separatistët pro-rusë

Situata është përflakur në lindje të Ukrainës, ku një ushtar ukrainas u vra e një tjetër mbeti i plagosur pas shpërthimit të luftimeve me separatistët pro-rusë.

Totali i ushtarëve ukrainas të vrarë në këtë mënyrë në vijën e frontit shkon në 65 sivjet, një bilanc ky më i lartë se vitin e kaluar kur u shënua 50 vdekje thotë AFP.

Tensionet në kufirin e Ukrainës me Rusinë janë në prag shpërthimit. Ushtria ukrainase i akuzoi separatistët se qëlluan ndaj pozicioneve të saj me mortaja 82-millimetre e përdorën granata-hedhëse.

Shërbimet amerikane të inteligjencës thonë se aktualisht, janë të paktën 100 mijë trupa ruse që po qëndrojnë të stacionuara në kufi.

Edhe pse Kremlini mohon të ketë si qëllim luftën, frika e shpërthimit të një konflikti është sot më e afërt se kurrë. NATO-ja dhe Bashkimi Europian po përpiqen të përdorin sanksionet si mënyrë për të shmangur një konflikt ushtarak, por nuk ka garanci sesa ato do të funksionojnë vërtet, raporton tch.

Moska vetë e akuzon Kievin se po kthehet ai në kërcënim për të, dhe se po i  hap dyert NATO-s për t`u shtrirë deri në portat e Rusisë.

Kategoritë
BotaLajme