Vuçiç: Nuk e di sa real është rreziku që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s

Sipas presidentit serb, është “përpjekja për ta vendosur Serbinë para një akti përfundimtar”, sepse siç tha ai, në atë mënyrë dikusht dëshiron t’i thotë Serbisë “vetëm juve u mbetet të njihni Kosovën dhe nuk keni zgjidhje”

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se kërkesa e Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO- “nuk është ide e shqiptarëve të Kosovës, por e lobistëve të tyre nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), me çka duan të detyrojnë katër vendet e BE-së që janë anëtare të NATO-s të njohin pavarësinë e Kosovës”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Vuçiç mori pjesë në një ceremoni me rastin e fillimit të punës në një fabrikë në Kraguevac, pas së cilës foli për mediat.

I pyetur nga gazetarët “a është e mundur që Kosova në situatën aktuale të përfitojë dhe të arrijë qëllimet e saj” dhe në këtë kontekst të bëhet anëtare e NATO-s, Vuçiç tha se para gjysmë viti ka dëgjuar për herë të parë për një ide të tillë.

“Nuk është ide e shqiptarëve nga Kosova, por e lobistëve të tyre dhe e disa politikanëve në SHBA dhe BE. Pse është kjo e rëndësishme për ta? Së pari, ata duan të bëjnë që katër vendet anëtare të NATo-s të njohin pavarësinë e Kosovës. Nuk mund të bëhesh anëtar i NATO-s nëse nuk je shtet. Ajo është një mënyrë, por edhe një justifikim për disa vende që ta pranojnë dhe të thonë ‘duhet sepse nuk kemi rrugëdalje tjetër’ “, tha presidenti Vuçiç.

Arsyeja e dytë, sipas presidentit serb, është “përpjekja për ta vendosur Serbinë para një akti përfundimtar”, sepse siç tha ai, në atë mënyrë dikush dëshiron t’i thotë Serbisë “vetëm juve u mbetet të njihni Kosovën dhe nuk keni zgjidhje”.

“Nuk mund ta vlerësoj për momentin se sa real është rreziku, por për ne nuk është aspak naive situata. Por mesazhi im për qytetarët është se sado shtete ta njohin Kosovën dhe çfarëdo që të bëjnë ata, ndryshe nga ata, Serbia do t’i përmbahet të drejtës publike ndërkombëtare. Pavarësisht të gjitha presioneve dhe shantazheve, Serbia do të ruajë integritetin e saj territorial”, tha Vuçiç.

Kujtojmë se më të premten, më 24 shkurt, Vuçiç mbajti një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare me rastin e sulmeve ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës, ku prezantoi konkluzionet e takimit dhe theksoi se, “Serbia jep të plotë dhe mbështetje parimore për të respektuar integritetin territorial të Ukrainës, se ajo qëndron për paqen dhe se në këtë moment nuk është në interesin jetik të Serbisë të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse apo ndonjë vendi tjetër”.

Kategoritë
LajmeVendi