Vuçiq: Kosova ka dorëzuar sot kërkesën për pranim në Këshillin e Evropës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se Kosova ka dorëzuar sot kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, me çka sipas tij është shkelur Marrëveshja e Washingtonit, kanë raportuar mediet serbe.

Ai ka paralajmëruar se nesër do të zhvillohet takimi i Këshillit Kombëtar për siguri.

“Ju bëj me dije se para pesë minutash Donika Gervala ka paraqitur kërkesë zyrtare për anëtarësimin e të ashtuquajturës Kosovë në Këshillin e Evropës dhe kështu Prishtina ka shkelurr një marrëveshje tjetër, atë të Washingtonit, të cilën e kanë shkelur brutalisht. Neve na takon të mos hyjmë në konflikt të urrejtjes, ,por të japim një përgjigje në mënyrë racionale”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se është e qartë se vendet kryesore perëndimore po udhëheqin këtë lojë.

“Ne jemi një vend i vogël liridashës që mbron sovranitetin e tij, do të përpiqemi t’i kundërshtojmë në mënyrë paqësore dhe diplomatike”, tha ai, duke shtuar se jeta është një luftë dhe se nuk ka tërheqje dhe dorëzim ndaj “shantazheve dhe ultimatumeve”.

Vuçiq tha se “është detyra jonë të mbrojmë vendin tonë dhe se Beogradit do t’i kërkohet të njohë pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë”. Siç theksoi ai, Prishtina ka 67 deri në 70 për qind të mbështetjes në Këshillin e Evropës, nëse do të votonin për anëtarësim, dhe shtoi se Prishtina nuk do të qëndrojë vetëm në kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“E ashtuquajtura Kosovë ka marrë mbështetjen e SHBA-së për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe. E gjithë kjo nuk vlen shumë për ta, nëse nuk marrin dritën e gjlbër nga Serbia”, tha ai.

Sipas tij, kjo do të ketë probleme shtesë në rajon.

“Kjo do të ketë një efekt shtesë në marrëdhëniet në rajon. Kush ka nevojë dhe kush e ka bindur Prishtinën që ta paraqesë këtë iniciativë, përgjigja jonë duhet të jetë e zgjuar dhe e mençur, për të ruajtur stabilitetin. Unë pyes se si na thirrën në Washington kur shkelën me rastin e parë të mundshëm këtë marrëveshje. Washingtonin. Dëshirojnë që ne të njohim pavarësinë, ne nuk do ta bëjmë këtë”, tha Vuçiq.

Kategoritë
LajmeRajoni