Vuçiq para takimit me kancelarin gjerman: Jam i shqetësuar, mbështetja për anëtarësimin e Serbisë në BE është në rënie

Në prag të vizitës së tij në Gjermani, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka dhënë një intervistë të gjerë për median gjermane, Handelsblatt.

Si fillim Vuçiq foli edhe për presidentin rus, Vladimir Putin, por nuk deshi të komentoj zhvillimet e fundit në Ukrainë.

Vuçiq tha se me Putin-in janë takuar së fundi më 25 nëntor të viti të kaluar, por që nuk kanë folur shumë për Ukrainën.

“Unë dëgjoj dhe lexoj atë çfarë Putin-i thotë, ai tregon motivet e tij. Por kjo s’do të thotë se ajo çfarë po veprohet në Ukrainë mund të justifikohet” , deklaroi ai.

Duke folur për takimin e sotëm me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Vuçiq kujtoi se kancelarin gjerman e kishte takuar në Hamburg në vitin 2016 dhe thotë se ka qenë nga të paktët që e ka dëgjuar me vëmendje.

“Ne i jemi shumë mirënjohës atij që u tregoi vendeve të ish-Jugosllavisë në lidhje me anëtarësimin e mundshëm në BE. Ai madje e cilësoi sjelljen e BE-së ndaj këtyre vendeve si të papranueshme. Unë e marr seriozisht dhe kjo na jep shpresë”, theksoi Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Presidenti serb tha se është i shqetësuar që mbështetja për anëtarësimin e Serbisë në BE është në rënie.

“Populli ynë dëgjon vetëm një gjë nga BE-ja: Serbia të njohë Kosovën si të pavarur. Shumë serbë janë të lodhur nga kjo, sepse në të njëjtën kohë në Ukrainë sot shohim një qasje krejtësisht të ndryshme të të njëjtave fuqi perëndimore. Ata kanë një ndjenjë se ka standarde të dyfishta. Megjithatë, mund të them qartë se ne mbetemi të vendosur, në rrugën drejt BE-së”, tha presidenti serb.
Ai shtoi gjithashtu se kjo është arsyeja se pse po takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

“Në Serbi, Gjermania preferohet nga Bashkimi Evropian-sepse Angela Merkel e mori Serbinë seriozisht. Ne besojmë se mund të marrim të njëjtin respekt dhe vlerësim nga pasardhësi i saj, Scholz. Kjo është gjithçka që na duhet. Ne kurrë nuk kemi kërkuar më shumë, ne duam vetëm një perspektivë të mirë evropiane. Fakti që shumë serbë ndërkohë kundërshtojnë anëtarësimin në BE është sigurisht pasojë e gabimeve tona, por gjysma e fajit i shkon Brukselit”.

Në fund, Vuçiq tha se shpreson që kancelari gjerman dhe fjalët e tij do të përshpejtojnë zgjerimin e BE-së.

“Dhe nuk flas vetëm në emër të Serbisë. Kjo është ajo që na duhet të gjithëve në rajon: E qartë dhe me synime të arritshme”.

Duhet përkujtuar që sot në Bruksel do të zhvillohen takime të rëndësishme në kuadër të dialogut. Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen sot me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Tema kyçe e këtyre takimeve thuhet të jetë pikërisht dialogu në mes dy vendeve.

Kategoritë
LajmeRajoni