Vuçiq thotë se ka mjaft ushtarë, Ibishi: Serbia, po tenton ta destabilizojë Ballkanin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këtë të martë ka deklaruar se vendi i tij nuk do të anëtarësohet në aleancën ushtarake të NATO-s dhe do të mbrojë vetë tokën dhe hapësirën e saj ajrore.

Madje, presidenti serb po ashtu tha se vet shteti do të kujdeset për të ardhmen e vet pasi që ka ushtarë mjaftueshëm.

Rreth kësaj deklarate, njohësi i çështjes së sigurisë, Nuredin Ibishi në një prononcim për Gazetën InLajmi tha se Serbia po i vazhdon provokimet me deklarata, sikurse edhe me veprimet e fundit në veri të vendit me vendosjen e grafiteve me shkronjën “Z”.

“ Deklaratat e tilla se nuk do të anëtarësohet në NATO e se ka ushtarë mjaftueshëm, ai është i vetëdijshëm se në rajon Serbia është fuqia e 4 rajonale, pra prapa shumë shteteve si Turqia, Greqia dhe Rumania. As në rajon nuk është ndonjë fuqi. Ajo mund të flas për mbrojtjen eventuale të vendit të vet”, theksoi Ibishi.

E si aleat i Rusisë që është Serbia, Ibishi tha se po tenton të destabilizojë situatën në Ballkan, por se në vendin tonë, thotë ai nuk ka rrezik pasi që KFOR po kujdeset për ruajtjen e sigurisë.

“Provokimet që i bënë, po bënë luftë hibride duke nxitur reagime të eksremistëve serb në Kosovë. Mirëpo unë mendoj se situata është më e rënduar në Republika Srpska (Bosnje dhe Hercegovinë) dhe Mal të Zi. Si aleate e Rusisë, qëllimi është ta destabilizojë Ballkanin, por nuk ka fuqi sepse në Kosovë është KFOR. Nuk do të ndërmarrin ndonjë veprim sepse do të ndeshen me aleatët ndërkombëtarë, po ashtu me forcën e sigurisë, pra FSK dhe Policinë e Kosovës”,tha Ibishi, shkruan InLajmi.

Sipas tij, Serbia po e vazhdon politikën për neutralitet, që t’i mbajë raportet e mira me Rusinë, Kinën, Bjellorusinë.

Kategoritë
LajmeRajoni