Vullnetarët në Berlin mirëpresin refugjatët ukrainas në stacionin e trenit

Vullnetarët mirëpresin refugjatët që zbresin nga treni në Stacionin Qendror të Trenit të Berlinit (Berlin Hauptbahnhof), duke u ofruar atyre ushqime, pije, veshje dhe strehim.

Vullnetarë të shumtë po presin në stacionin e trenit në Berlin refugjatët të cilët u arratisën nga Ukraina për shkak të luftës së Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Disa nga refugjatët që tashmë kanë kaluar në Poloni, po mbërrijnë në Berlin me tren dhe autobusa.

Vullnetarët mirëpresin refugjatët që zbresin nga treni në Stacionin Qendror të Trenit të Berlinit (Berlin Hauptbahnhof).

Shumica e refugjatëve ukrainas, përfshirë fëmijë, dërgohen më pas në seksionin e rezervuar për ta në stacionin e trenit nën drejtimin e vullnetarëve.

Në këtë seksion refugjatëve u ofrohen ushqime dhe pije, së bashku me materiale pastrimi, higjienike, veshje dhe lodra për fëmijë, të dhuruara nga banorët e Berlinit dhe organizatat joqeveritare.

Ndërsa disa nga vullnetarët shpërndajnë ushqime dhe pije për refugjatët, një pjesë tjetër ofrojnë informacione se ku mund të shkojnë refugjatët në qytet.

Nga ana tjetër, shumë berlinas që duan të presin refugjatë në shtëpitë e tyre ose të ofrojnë strehim, presin në stacionin e trenit me pankarta në duar.

Një nga banoret e Berlinit, Annika, e cila dëshiron të presë në shtëpinë e saj një nënë me dy fëmijë, tha për AA: “Ne kemi një shtëpi mjaft të madhe për 2-3 persona shtesë”.

Andreas Kern, i cili sillte bukë në seksionin ku shpërndahej ushqimi, deklaroi se përpiqet të bëjë më të mirën për refugjatët dhe tha se ilaçet që marrin nga mjekët gjatë ditës i dërgon në kufirin polako-ukrainas.

Duke folur për 4 qeset me bukë që dhuroi, Kern shpjegoi se në ndërtesën ku ai banon funksionon një furrë buke.

“Kam biseduar me furrtarin. E pyeta se çfarë do të jepte kur të blija një simit. Ai i dha të gjitha bukët e tij të vogla. (Refugjatët) Kur mbërrijnë këtu, kanë mendime më të mira pasi pushojnë pak dhe u jepen ushqim e pije”, tha Kern.

Marlene Förster, e cila mbështeti vullnetarisht shpërndarjen e ushqimit me shoqen e saj, deklaroi se duan të bëjnë diçka për të ndihmuar.

“Ne menduam se ku mund të ndihmonim më mirë. Ne e dinim që refugjatët vijnë së pari këtu. Edhe ne erdhëm këtu. Pyetëm se çfarë duhej. Në fillim bëmë pazar. E pamë që këtu ka mungesë të personelit dhe ne po ndihmojmë këtu”, tha ajo.

Ndërkaq, polakja Alexandra Garyga, e cila jeton në Berlin dhe u sjell lodra fëmijëve refugjatë, tha se dëshiron t’i bëjë të lumtur fëmijët.

“Unë doja t’i ndihmoja fëmijët që erdhën këtu për të harruar kohën e vështirë që e kaluan, që të kalojnë kohë të mirë këtu”, tha Garyga.

Ministria e Brendshme gjermane ka njoftuar se në vend kanë ardhur mbi 18 mijë refugjatë, por ky numër mund të jetë më i madh pasi nuk kryhen kontrolle kufitare brenda Bashkimit Evropian (BE).

Kategoritë
BotaLajme