Washington Post: Lideri i ri i DEASH-it ishte informator për SHBA-në në kohën kur ishte i burgosur

Al-Qurashi punoi me SHBA-në gjersa ishte në burg në fund të viteve 2000 për të identifikuar udhëheqësit e Shtetit Islamik të Irakut (ISI), shkroi gazeta amerikane.

Personi që ka udhëhequr organizatën terroriste DEASH pas vdekjes së themeluesit të saj në vitin 2019 është një ish i burgosur që ka ndihmuar SHBA-në për të eliminuar rivalët e tij në organizatën e mëparshme të grupit terrorist, shkroi Washington Post.

Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurashi, njeriu i identifikuar si udhëheqësi i ri pas vrasjes së Abu Bakr al-Bagdadit nga forcat amerikane në Siri, punoi me SHBA-në gjersa ishte në burg në fund të viteve 2000 për të identifikuar udhëheqësit e Shtetit Islamik të Irakut (ISI), duke përfshirë personin e dytë të organizatës së atëhershme, njoftoi Washington Post.

Organizata terroriste DEASH ka lindur nga ISI.

Lajmi i gazetës amerikane bazohet në raportet e mëparshme të klasifikuara të marrjes në pyetje që përfshijnë informacione kyçe që al-Qurashi ia ka dorëzuar SHBA-së. Dokumentet e SHBA-së e përshkruajnë atë si të etur për të zbuluar informacione që ndihmuan forcat amerikane të kryenin operacione kritike kundër grupit terrorist.

Këto përfshinin informacione që ndihmuan forcat amerikane të lokalizonin selinë e fshehtë të medias së ISI-së.

“I burgosuri duket të jetë më bashkëpunues në çdo seancë”, thuhet në një raport të vitit 2008 të siguruar nga Washington Post, duke përdorur emrin e vërtetë të al-Qurashi-t, Amir Muhammad Sa’id Abd-al-Rahman al-Mawla.

“I burgosuri po ofron shumë informacione mbi bashkëpunëtorët e ISI-së”, thuhet më tej.

Al-Qurashi u arrestua ose në fund të vitit 2007, ose në fillim të vitit 2008, kurse të dhënat e marrjes në pyetje përfundojnë në korrik të vitit 2008. Për dy muaj ai ofroi një thesar të vërtetë informacionesh jetike për SHBA-në, duke përfshirë dhënien e numrave të telefonit të 19 zyrtarëve ISI-së dhe ndihmoi SHBA-në të zhvillojë skica të udhëheqësve terroristë, sipas Washington Post.

Në një moment të panjohur al-Qurashi ndaloi së bashkëpunuari dhe raportet thonë se ai u bë “i shqetësuar” për statusin e tij, “duke sugjeruar që ai priste të shpërblehej për sasinë e informacioneve që kishte siguruar”, raportoi Post.

Kategoritë
BotaLajme