Will Smith përjashtohet nga Oscars për 10 vite

Akademia e Arteve dhe Skencave të Filmit pranoi se “nuk e trajtoi siç duhet situatën në sallë” gjatë vetë shfaqjes.

Aktori i Hollywood-it, Will Smith, është përjashtuar nga pjesëmarrja në dhjetë Oscar-ët e ardhshëm, pasi ai goditi në skenë komikun Chris Rock gjatë edicionit të 94-t të ndarjes së çmimeve prestigjioze të filmit, njoftoi Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit.

Vendimi për përjashtimin e Smith-it vjen pasi Bordi i Guvernatorëve të Akademisë u mblodh për të diskutuar një përgjigje ndaj incidentit.

Përveç përjashtimit për një dekadë, Smith-it i ndalohet gjithashtu të marrë pjesë në ndonjë ngjarje të Akademisë gjatë asaj kohe. Presidenti i Akademisë David Rubin dhe Drejtori Ekzekutiv Dawn Hudson përmendën “sjelljen e papranueshme dhe të dëmshme” të Smith-it gjatë ngjarjes së 27 marsit në një letër të hapur drejtuar anëtarëve të Akademisë.

Rubin dhe Hudson pranuan se Akademia “nuk e trajtoi siç duhet situatën në sallë” gjatë vetë shfaqjes kur Smith më vonë pranoi çmimin e Akademisë për aktorin më të mirë. Drejtuesit e Akademisë kërkuan falje për përgjigjen e gabuar, duke thënë se ata “dështuan” dhe ishin “të papërgatitur për të paprecedentën”.

“Duam t’i shprehim mirënjohjen tonë të thellë zotit Rock për ruajtjen e qetësisë së tij në rrethana të jashtëzakonshme”, shkruan ata.

“Ky veprim që ne po ndërmarrim sot në përgjigje të sjelljes së Will Smith-it është hap drejt një qëllimi më të madh për të mbrojtur sigurinë e interpretuesve dhe të ftuarve tanë dhe për të rivendosur besimin ndaj Akademisë”.

Smith njoftoi dorëheqjen e tij nga Akademia javën e kaluar pas kritikave të ashpra për sulmin e tij ndaj Rock-ut.

Kategoritë
BotaLajme