Xhaferoviç në Shkup vendosi lule në memorialin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç po qëndron për një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut me rastin e 28 shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve.

Anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviç po qëndron për një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut me rastin e 28 shtatorit – Ditës Ndërkombëtare të Boshnjakëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë vizitës, Xhaferoviç dhe delegacioni i tij, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe një delegacioni nga Novi Pazari, të udhëhequr nga kryetari Nihad Bisevaç, vendosën lule në memorialin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicës që gjendet në Komunën e Çairit në Shkup.

Xhaferoviç tha se boshnjakët janë popull që respekton shtetet, sovranitetin dhe integritetin territorial të tyre, pavarësisht se ku jetojnë, luftojnë për të drejtat e tyre dhe ruajnë identitetin e tyre brenda atyre shteteve.

“Sot në këtë ditë, disa padrejtësi historike janë korrigjuar, emri historik i popullit tonë është rikthyer, boshnjak, boshnjake, boshnjakë. Ky është emri historik i popullit tonë. Gjuha jonë është kthyer, boshnjake. Këto janë vendime të mëdha historike dhe epokale dhe kjo është arsyeja pse sot, 28 shtatori, me të drejtë quhet Dita e Boshnjakëve”, tha Xhaferoviç.

Ai konsideron se e gjithë bota e civilizuar duhet t’u shpreh nderime viktimave të Srebrenicës dhe të dënojë ata që planifikuan dhe kryen gjenocidin, gjenocidi i vetëm i kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Dëshiroj dhe falënderoj Republikën e Maqedonisë së Veriut, parlamenti i së cilës miratoi rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Dua të falënderoj Qeverinë e këtij vendi dhe autoritetet e kësaj komune të Çairit këtu në Shkup, njerëzve që kontribuan me fonde dhe mundësuan ndërtimin e këtij monumenti, i cili do të na kujtojë përgjithmonë të keqen që i ndodhi popullit tonë në vitin 1995 dhe që do të paralajmërojë përgjithmonë botën e civilizuar, të bëjë gjithçka që duhet që një e keqe e tillë kurrë mos të ndodh më askund”, deklaroi Xhaferoviç.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu uroi Ditën e Boshnjakëve me një mesazh që populli shqiptar bashkëndjen dhimbjen e popullit boshnjak.

“Përmes këtij monumenti, jo vetëm një herë në vit, por çdo ditë, sa herë që kalon pranë këtij simboli, ne do të ndiejmë dhimbjen e popullit boshnjak. Vëllezërit shqiptarë dhe të gjithë kombet e tjera do t’i keni pranë, kudo dhe kurdo. Njerëzit që ndajnë historinë ndajnë një të ardhme të përbashkët”, tha Ganiu.

Anëtari i Presidencës së BeH-së, Xhaferoviç gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut u takua me presidentin Stevo Pendarovski, ndërsa janë paralajmëruar takime me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryeministrin Zoran Zaev.

Xhaferoviç është planifikuar të drejtohet në një akademi zyrtare në Shkup me rastin e Ditës së Boshnjakëve.

Kategoritë
LajmeRajoni