Xhaferoviç-Osmani: BeH dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë çështje të hapura

Kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, ka takuar sot në Sarajevë Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç ka takuar sot në Sarajevë ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë takimit u vlerësua se marrëdhëniet e përgjithshme dhe bashkëpunimi ndërmjet BeH-së dhe Maqedonisë së Veriut janë të mira, pa çështje të hapura dhe se ka interes të ndërsjellë për përmirësimin e tyre, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe arsimor, thuhet në deklaratën e Presidencës së BeH-së.

Po ashtu u konstatua se nuk janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve, sidomos kur bëhet fjalë për bashkëpunimin ekonomik. U shpreh synimi që në të ardhmen të shfrytëzohen potencialet për forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe rritjen e tregtisë. Gjithashtu u theksua rëndësia e ruajtjes së dinamikës së dialogut në nivelin më të lartë, gjë që do të forcojë më tej bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy vendeve.

Duke folur për rrugën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, u tha se ajo nuk ka alternativë dhe përfaqëson interesin e përbashkët të rajonit dhe të Bashkimit Evropian. Xhaferoviç mbështeti zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe fillimin e negociatave për anëtarësim të plotë.

Gjithashtu janë diskutuar edhe përfitimet e iniciativave të shumta rajonale që synojnë forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin në rajon.

Në takim morën pjesë këshilltari i anëtarit të Kryesisë së BeH-së, Milorad Dodik, Boshko Tomiç dhe këshilltari i anëtarit të Kryesisë së BeH, Zheljko Komshiç, Slaven Kovaçeviç.

Kategoritë
LajmeRajoni