Xhaferoviç për “Ballkanin e Hapur”: Pse po ndërtojnë një platformë të re jashtë BE-së?

Anëtari i Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, insiston në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Sofje, duke shtuar se kjo marrëveshje është kornizë e mjaftueshme për bashkëpunim rajonal.

Anëtari i Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, shprehet se vendi i tij është i interesuar të zbatojë marrëveshjen e arritur gjatë Samitit të Sofjes së vitit të kaluar sa i përket bashkëpunimit rajonal.

Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me iniciativën “Ballkani i Hapur”, Xhaferoviç në intervistë për Anadolu Agency (AA) thotë se bashkëpunimi rajonal, tregu rajonal dhe agjenda e gjelbër janë të nevojshme për BeH-në, por sipas tij, këto çështje janë rregulluar në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Samitit të Sofjes.

“Sa i përket BeH-së, kjo çështje është zgjidhur. BeH iu bashkua procesit të tregut rajonal në Samitin e Sofjes nën kujdesin e Bashkimit Evropian më 10 nëntor të vitit të kaluar dhe kjo tani duhet të zbatohet, si në kuptimin politik, për të cilin është përgjegjëse Qendra për Bashkëpunim Rajonal këtu në Sarajevë, ashtu edhe në kuptimin ekonomik, për të cilin është përgjegjëse CEFTA në Bruksel. E gjithë kjo u bë në kuadrin e Procesit të Berlinit”, thekson Xhaferoviç.

Pas Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal të mbajtur më 29 korrik në Shkup, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nënshkruan disa marrëveshje dhe shpallën zyrtarisht emërimin e nismës “Ballkani i Hapur” për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Xhaferoviç shprehet se është në interes të BeH-së që regjimi i lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të zhvillohet në një nivel optimal i cili më së paku do t’u paraqesë pengesë njerëzve dhe subjekteve ekonomike, me sa më pak pengesa dhe barriera.

Ai rikujton se nënshkrues të marrëveshjes së Sofjes janë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se iniciativa “Ballkani i Hapur” sipas përmbajtjes është po ajo që BeH e ka pranuar në Sofje.

“Tani parashtrohet pyetja: Pse këto tre vende po e bëjnë këtë, pse po ndërtojnë një platformë të re jashtë BE-së dhe nuk insistojnë në zbatimin e platformës dhe atë që është rënë dakord nën kujdesin e BE-së, diçka që është në gjurmët e bashkëpunimit rajonal në funksion të rrugës më të shpejtë të mundshme evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, sa na përket neve në BeH, ne e zgjidhëm këtë çështje më 10 nëntor në Sofje”, theksoi Xhaferoviç.

I pyetur rreth mungesës së përparimit në bashkëpunimit rajonal, Xhaferoviç sërish insiston në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Sofje, duke shtuar se kjo marrëveshje është kornizë e mjaftueshme për bashkëpunim rajonal.

“Ata që bllokojnë punën e institucioneve shtetërore mund vetëm të dëmtojnë vetveten”

Duke komentuar bllokadën e plotë të institucioneve që vjen nga përfaqësuesit politik të entitetit Republika Srpska, Xhaferoviç thekson se institucionet medoemos duhet të funksionojnë, duke rikujtuar se Republika Srpska është dhe do të mbetet pjesë përbërëse e Bosnje dhe Hercegovinës.

“Ata që bllokojnë punën e institucioneve shtetërore mund vetëm të dëmtojnë vetveten”, shprehet Xhaferoviç, duke shtuar se bllokimi është në kundërshtim edhe me Marrëveshjen e Dayton-it.

Ai shprehet se Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Valentin Inzko, ka kompetencat e tij sipas Marrëveshjes së Dayton-it, të cilat mund t’i përdorë ngjashëm sikur me rastin kur ai solli një shtesë në Kodin Penal të Bosnjë e Hercegovinës, me të cilën vendosi ndalim të mohimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të vërtetuara nga aktvendimet përfundimtare nga gjykatat kompetente ndërkombëtare dhe vendore.

Lidhur me këtë të fundit, Xhaferoviç paralajmëron autoritete në Republika Srpska se mohimi i gjenocidit tanimë është i ndëshkueshëm me ligj.

“Nëse dikush vendos të kundërshtojë njësinë policore të entitetit ndaj agjencive shtetërore në kryerjen e punës dhe kompetencave të tyre, atëherë ata do të kryejnë vetëm një krim shumë të rëndë”, tha ai, duke theksuar se kjo mund të përbëjë edhe kërcënim të rendit kushtetues.

“Turqia i dha BeH-së privilegje që nuk i ka dhënë asnjë vendi tjetër në botë “

Xhaferoviç e vlerësoi si shumë pozitive Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë midis Turqisë dhe BeH-së, e cila së fundmi ka hyrë në fuqi.

“Republika e Turqisë i dha Bosnjë dhe Hercegovinës privilegje që nuk i ka dhënë praktikisht asnjë vendi tjetër në botë. Ne duhet të përfitojmë nga kjo. Qëllimi ynë është të rrisim tregtinë, në baza vjetore, në një miliard dollarë. Ky nuk është një qëllim i paarritshëm. Sot, është rreth 700-750 milionë dollarë, dhe është e mundur ta bëjmë këtë në vitin e parë të zbatimit të Marrëveshjes”, tha Xhaferoviç.

Ai gjithashtu u shpreh se përpiqen të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, në mënyrë që dispozitat e kësaj marrëveshjeje të përdoren në maksimum.

Kategoritë
LajmeRajoni