Xhamia Hasan Beg, kryevepra osmane në zemër të Tel Avivit

E vendosur në kryeqytetin e Izraelit, xhamia u urdhërua të ndërtohej nga guvernatori i Perandorisë Osmane në Xhafa, Hasan al-Basri Aljabi në vitin 1914.

Pavarësisht se u sulmua shumë herë që nga themelimi i Izraelit, Xhamia Hasan Beg, e cila u ndërtua gjatë epokës Osmane në qytetin palestinez Xhafa, u ka mbijetuar sfidave të kohës me bukurinë e saj arkitektonike.

E ngritur në lagjen Neve Tzedek të Tel Avivit, kryeqytetit të Izraelit, xhamia u urdhërua të ndërtohet nga guvernatori i Perandorisë Osmane në Xhafa, Hassan al-Basri Aljabi në lagjen e atëhershme Manshija në vitin 1914.

Ndërsa lagjja Manshija e Palestinës Osmane u shkatërrua plotësisht nga bandat sioniste që ishin pjesë e elementëve themelues të Izraelit, Xhamia Hasan Beg i shpëtoi prishjes nga frika e përgjigjes së mundshme të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.

I themeluar në vitin 1948 në një pjesë të madhe të tokave historike palestineze, shteti i Izraelit lidh administrativisht qytetin Xhafa me bashkinë e kryeqytetit Tel Aviv.

Izraeli përfshiu qytetin e vjetër Xhafa nën menaxhimin administrativ lokal të Tel Avivit ndërsa dyert e Xhamisë Hasan Beg u mbyllën për muslimanët.

Palestinezët ende kujtojnë se për kaq shumë vite, xhamia u përdor si hambar dhe strehë kafshësh dhe u bë një vend që frekuentohej nga personat e varur nga droga.

Pasi ishte shkëputur nga mjedisi musliman me hostele të ndërtuara më vonë dhe vende argëtimi rreth xhamisë, ajo u rihap për adhurim në fund të viteve 1970 nga komuniteti musliman në Xhafa.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), imami i Xhamisë Hasan Beg, Sheiku Ahmad Abu Ajwa tha se Izraeli po përpiqet të shkatërrojë identitetin arabo-islam të tokave historike palestineze.

“Asgjë nuk ka mbetur nga lagjja Manshija përveç kësaj xhamie, e cila është dëshmitare e historisë”, tha ai duke shtuar se e gjithë kjo ndodhi pas Nakba-s (Katastrofës), duke iu referuar krijimit të shtetit izraelit në vitin 1948 kur qindra mijëra palestinezë u zhvendosën ose u larguan nga shtëpitë e tyre.

Duke theksuar se xhamia ishte e mbyllur për adhurim menjëherë pas krijimit të Izraelit, Abu Ajwa tha se: “Xhamia Hasan Beg në lagjen Manshija, ku palestinezët iu nënshtruan migrimit të detyruar, ajo u braktis dhe fati i saj mbeti në duart e bandave hebraike, duke iu nënshtruar sulmeve të përsëritura”.

Ai theksoi se në hapësirën e xhamisë mund të falen afërsisht 3.000 njerëz.

“Xhamia Hasan Beg është një kryevepër osmane. Kushdo që shikon strukturën e xhamisë, nga hyrja e saj në minberin dhe mihrabin e saj, do të shohë se është një vepër gjigante osmane”, theksoi Ajwa.

“Megjithatë, të gjithë palestinezët, veçanërisht banorët e Kudsit të pushtuar dhe vëllezërit dhe motrat tona në Turqi kanë ofruar mbështetje të plotë për këtë xhami”, shtoi ai.

Shoqata Mirasimiz (Trashëgimia jonë) e Turqisë, e cila punon në ruajtjen e trashëgimisë osmane në Kuds dhe territoret e saj ngjitur, në partneritet me Fondacionin Al-Aksa, të themeluar nga qytetarë palestinezë të Izraelit, restauruan fasadat lindore dhe verilindore të xhamisë dhe rindërtuan murin juglindor të xhamisë në përputhje me arkitekturën osmane në vitin 2009.

Kategoritë
BotaLajme