“YPG/PKK është e shkatërruar nga operacionet e ushtrisë turke”

Terroristi, i identifikuar si Gürkan Düz, me emrin e koduar Rezzan Erzingan, ishte një nga gjashtë të dyshuarit në padinë e ngritur nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të qytetit Erzincan

Një terrorist i kapur i PKK-së, në dëshminë e tij tha se Turqia i ka dhënë një goditje të rëndë grupit terrorist YPG/PKK me operacionet e saj të suksesshme ushtarake, raporton Anadolu Agency (AA).

Terroristi, i identifikuar si Gürkan Düz, me emrin e koduar Rezzan Erzingan, ishte një nga gjashtë të dyshuarit në padinë e ngritur nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të qytetit Erzincan.

Në dëshminë e tij, Düz, i cili u arrestua derisa po përpiqej të kalonte në Greqi nga Turqia veriperëndimore, tha se, “Anëtarët e grupit kanë frikë të neutralizohen nga forcat e sigurisë, veçanërisht me operacionet të mbështetura nga ajri”.

“Kullat e vëzhgimit, pikat e fortifikuara, dronët dhe mjetet ajrore pa pilot të armatosur në zonat ku ne (PKK) kryejmë aktivitete, si dhe masat e marra nga forcat e sigurisë kanë kufizuar seriozisht zonën tonë të ndikimit. Si rezultat i këtyre faktorëve, ekziston rritje e numrit të anëtarëve (të PKK-së) të cilët u dorëzohen forcave të sigurisë pas përpjekjeve të bindjes”, tha ai.

Terroristi i arrestuar po ashtu tha se pjesëtarët që donin t’i shpëtonin grupit terrorist u ekzekutuan.

“Pjesa më e madhe e municioneve u shkatërrua në operacionet. Përforcimi i fundit me municion u bë në vitin 2015 dhe ka një mungesë municioni. Struktura hierarkike midis pjesës veriore të Irakut dhe terrenit është dobësuar”, shtoi ai.

Ai tha se vendosi të largohet nga grupi terrorist i PKK-së në vitin 2018, duke shtuar se “ka dallim të madh midis gjërave që i thonë në grup dhe gjërave që i praktikojnë. Duke iu bashkuar grupit e kuptova se padrejtësinë më të madhe ia bëra familjes time”.

“Megjithëse kisha qëllim të ik nga grupi terrorist, nuk mund ta shprehja atë brenda organizatës. Prandaj, u largova nga grupi, duke lënë një shënim se do të veproja në qytet”, shtoi ai.

Düz theksoi se ai u kap nga forcat turke të sigurisë derisa po përpiqej të ikte në Greqi, duke shtuar se nuk është keqtrajtuar nga forcat.

Padia kundër gjashtë të dyshuarve vuri në dukje se Düz ishte një nga autorët e sulmeve terroriste me pajisje të improvizuara shpërthyese në provincat Erzincan dhe Tunceli.

Për secilin nga të dyshuarit, përfshirë Gürkan Düz, kërkohen dënime të rënda prej 22 deri në 44 vjet burgim.

Në fushatën e saj mbi 30-vjeçare terroriste kundër Turqisë, PKK, e radhitur si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjet e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG është degë siriane e PKK-së.

Kategoritë
BotaLajme