Zaev mori pjesë në sesionin plenar të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet në Bërdo të Sllovenisë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në sesionin e parë plenar të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në lidhje me çështjet socio-ekonomike në bashkëpunimin e rajonit me BE-në, tha se një Ballkan Perëndimor i fortë dhe i begatë është një kontribut i domosdoshëm për ekonominë evropiane dhe pa dyshim që integrimi i plotë i vendeve të rajonit në bllokun evropian duhet të jetë rezultat i natyrshëm i rrugës së reformës në këto vende, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zaev mori pjesë në sesionin plenar të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili po mbahet në Bërdo të Sllovenisë.
Zaev, siç thuhet në njoftimin nga qeveria, ka theksuar se aktivitetet e qeverisë për zhvillimin ekonomik zhvillohen njëkohësisht me masat që ofrojnë siguri shoqërore dhe drejtësi sociale, me ndikim pozitiv në zvogëlimin e varfërisë dhe përmirësimin e inkluzivitetit social.
“Nëpërmjet dialogut dhe platformave gjithëpërfshirëse, partnerët tanë për dialog social na kanë ndihmuar të pasurojmë masat që janë vërtetuar se janë të drejta shoqërisht”, ka deklaruar Zaev.
Ai ka shtuar se pandemia COVID-19 ka përshpejtuar më tej ambicien për integrim rajonal, duke treguar lidhje të rëndësishme midis tregjeve në rajon, si dhe midis ekonomive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Gjatë këtyre kohërave sfiduese, rajoni bashkëpunoi, duke siguruar një rrjedhë të qetë të mallrave gjatë gjithë krizës, ka thënë Zaev.
“Një Ballkan Perëndimor i fortë dhe i begatë është kontribut i domosdoshëm për ekonominë evropiane dhe, pa dyshim, integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian duhet të jetë rezultat i natyrshëm i rrugës së reformës në rajon”, ka theksuar Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Për Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka thënë Zaev, Plani Ekonomik dhe Investues i BE-së për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë e mirëseardhur dhe shumë e rëndësishme, e cila tregon solidaritet dhe kujdes për rajonin, forcimin e aktivitetit ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tij.
“Zbatimi i Planit Ekonomik dhe Investues për Ballkanin Perëndimor dhe Planit Aksional të Tregut të Përbashkët Rajonal do të transformojnë rajonin, duke siguruar ekonomi të gjelbra dhe më të digjitalizuara, si dhe një rrjetëzim më të mirë me tregun e vetëm të BE-së, që synon rimëkëmbjen nga kriza COVID-19, duke përshpejtuar rritjen ekonomike”, theksoi kryeministri Zaev në sesionin e parë plenar të Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor kushtuar çështjeve socio-ekonomike në bashkëpunimin e vendeve të rajonit me BE-në.