Zaev konferencë me Ramën: Mosçelja e negociatave, dështim i politikave të BE për zgjerim

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Shkup nga ku po mban një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun maqedonas, Zoran Zaev. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Zaev shprehu zhgënjimin e tij për mos vendosjen e një date për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Zaev theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë vetëm dhe se nuk do të mbeten të izoluara.

“Këtu jam me kolegun, vëllain, Edi Rama. Dy popujt tanë e kanë rrugën e njëjtë, e kemi vizionin e njëjtë. Ne nuk do të ndalemi këtu, ne këtë rrugë janë edhe Serbia, Kosova, Mali i Zi, etj…Ne jemi Evropë pavarësisht nëse BE ia arrin që të heqë bllokadat apo jo.”

Zoran Zaev solli në vëmendje se javën e shkuar bashkë me delegacionin e Shqipërisë shkuan në Sofje me “zemër të hapur dhe dorën e shtrirë”, për një hap pozitiv i cili nuk ndodhi në Bruksel. Megjithatë, Zaev theksoi se ata që e njohin, e dinë se ai nuk heq dorë kollaj ndërsa u zotua se do të vijojë të shkojë në Bullgari derisa të sigurojë një “po”.

“Javën e kaluar unë dhe delegacioni i Shqipërisë shkuam në Sofje me zemër të hapur dhe dorë të shtrirë për një hap pozitiv. Para saj, Rama ishte në Shkup për të koordinuar punët…Fatkeqësisht, edhe pse mesazhet tona ishin të qarta, kolegët bullgarë nuk ia dolën që të mblidhnin forcat që të fillonim negociatat…Edhe pse ishim të vetëdijshëm, vendimi i BE, me ne dhe Shqipërinë është një dëshpërim i madh dhe mossukses i politikës së BE për zgjerimin.” 

Kategoritë
LajmeRajoni