Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë: Me Shqipërinë kemi bashkëpunim në luftën kundër FETO-s

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, ka zhvilluar një vizitë pune në Shqipëri, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama. Gjatë një deklarate për mediat ai ka thënë se dy vendet kanë ecur përsa i përket luftës kundër organizatës terroriste FETÖ.

Pas vizitave në institucionet turke nën shoqërimin edhe të ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, dhe Kryekëshilltari i Presidencës së Turqisë, Sabri Demiri Kalın ka zhvilluar një darkë pune me Kryeministrin e Shqipërisë Rama.

“Sot kishin takime për të biseduar në lidhje me përgatitjet për një vizitë të planifikuar në Shqipëri. Kishim mundësi të flisnim detajisht si për marrëdhëniet dypalëshe, ashtu edhe për çështjet rajonale”, tha Kalın dhe më pas theksoi se Shqipëria është vend me të cilin Turqia ka rrënjë dhe marrëdhënie të thella historike dhe vend me të cilin sot bashkëpunon në fusha të ndryshme, siç janë fusha e tregtisë dhe ajo e sigurisë.

“Siç e dini, gati 600 kompani turke kanë biznese dhe investojnë në sektorë të ndryshëm në Shqipëri sot. Po kështu, njerëzit tanë vijnë këtu dhe vëllezërit tanë shqiptarë vijnë shpesh në Turqi. Në mënyrë që të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë në të gjitha këto fusha dhe të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë në fushat e arsimit dhe kulturës, ne do të vazhdojmë punën tonë edhe në të ardhmen”, shtoi më tej zëdhënësi i presidencës turke.

Duke u ndalur në marrëdhëniet mes dy vendeve përsa i përket sigurisë dhe luftë kundër organizatave terroriste, Kalın tha po ashtu se kanë bërë progres me autoritetet shqiptare duke shtuar se nuk do të lejojnë që kjo organizatë t’i dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve përmes manipulimeve të ligjeve në vendet ku gjenden.

“Siç e ka përmendur edhe presidenti ynë (Recep Tayyip Erdoğan) disa herë, kjo organizatë përbën rrezik të madh edhe për vendet ku gjendet, por në të njëjtën kohë, e dimë se bëjnë aktivitete të ndryshme manipulative për të helmuar dhe prishur marrëdhëniet midis vendeve ku gjenden dhe vendit tonë”, shtoi ai.

Kalın njoftoi se gjatë takimit të tij po ashtu u diskutuan detajisht çështjet rajonale, paqja në Ballkan, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, Bashkimi Evropian dhe çështjet globale.

Ai nënvizoi se marrëdhëniet midis Turqise dhe Shqipërisë vazhdojnë të forcohen tutje dhe se dy vendet do t’i vazhdojnë intensivisht punimet për thellimin dhe zgjerimin e lidhjeve në fusha të ndryshme.

Në një pyetje në lidhje me miratimin e buxhetit shtesë nga ana e parlamentit shqiptar për të blerë dronë nga Turqia, Kalın tha se bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e industrisë së mbrojtjes është i rëndësishëm dhe shtoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë në mënyrë që të mbështetet siguria, paqja dhe stabiliteti i Shqipërisë.

“Paqja dhe stabiliteti i Shqipërisë janë edhe paqja dhe stabiliteti edhe ynë dhe paqja dhe stabiliteti i Ballkanit”, u shpreh Kalın.

Duke folur mbi fushat e bashkëpunimit, Kalın tha se institucionet turke kryejnë aktivitete të ndryshme në Shqipëri, siç janë TIKA në fushën e restaurimit dhe rigjallërimit të trashëgimisë historike dhe Fondacioni Maarif në fushën e arsimit.

Ai gjithashtu përmendi edhe 500 banesat e ndërtuara në Shqipëri pas tërmetit, duke thënë se ato pritet të finalizohen në gusht dhe t’u dorëzohen pronarëve.

“Në të njëjtën mënyrë, në këtë periudhë pandemie, veçanërisht në kontekstin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, këtu u ndërtua një spital në një kohë shumë të shkurtër, me udhëzimet e presidentit tonë. Ne patëm po ashtu mundësinë të bënim furnizim me vaksina. Në periudhën e ardhshme, ne do të vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin tonë me Shqipërinë në të gjitha këto fusha, përfshirë shëndetësinë”, deklaroi zëdhënësi i Presidencës së Turqisë.

 

Kategoritë
LajmeRajoni