Zelenskiy: Turqia shfaq dëshirën të jetë lider midis shteteve që duan të jenë ndërmjetës me Rusinë

Presidenti ukrainas Vladimir Zelenskiy deklaroi se vendi i tij do të tërhiqet nga çdo negociatë me Rusinë nëse njerëzit vriten në Mariupol, nëse mbahen të ashtuquajturat referendume në zonat e pushtuara.

Zelensky mbajti një konferencë shtypi në stacionin e metrosë Khreshatik në qendër të kryeqytetit, Kiev, në ditën e 59-të të luftës Rusi-Ukrainë.

Duke theksuar se Mariupol ka një rëndësi të madhe për ta, Zelenskiy tha: “Nëse populli ynë shkatërrohet në Mariupol, nëse mbahen të ashtuquajturat referendume në zonat e pushtuara, Ukraina do të tërhiqet nga çdo negociatë (me Rusinë).”

“Sapo të kemi armë të mjaftueshme, ne do të rimarrim të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht”, tha Zelensky.

Lidhur me takimin me presidentin rus Vladimir Putin, Zelenskiy tha: “Unë nuk dua të takohem me presidentin rus, por nëse planifikojmë t’i zgjidhim të gjitha çështjet përmes diplomacisë, unë duhet ta bëj këtë. Kurse nëse bëhet fjalë për sjelljen e Putinit para një gjykate ndërkombëtare, jam i sigurt se kushdo që jep urdhër për vrasjen e njerëzve, fëmijëve, do të dalë para kësaj gjykate”.

Duke folur për ndërmjetësimin në negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës në lidhje me përfundimin e luftës, Zelenskiy tha: “Turqia tregon se dëshiron të jetë lider midis shteteve që duan të jenë ndërmjetës. Turqia shpreh qartë se dëshiron të jetë ndër vendet garantuese dhe se është gati”.

Lidhur me zhvillimet në lidhje me procesin e integrimit të Ukrainës në NATO, Zelenskiy tha: “Ishte një gabim i madh mos përfshirja e Ukrainës në NATO. Përfshirja jonë në NATO do të forconte aleancën, do të ishte një garanci që Rusia nuk do të fillonte luftën. Ky ishte një gabim strategjik”.

Kategoritë
BotaLajme