Zelensky: Kjo luftë do të përfundojë me turp dhe pasoja të rënda për Rusinë

“Pushtuesit vazhdojnë të kryejnë krime lufte, të djegin vendet e banuara dhe infrastrukturat civile. Numri i raketave që Rusia ka përdorur në Ukrainë ka kaluar mbi 900”, tha Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se kjo luftë do të përfundojë me turp dhe me pasoja të rënda për Federatën Ruse e cila sulmon vendin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zelensky iu drejtua popullit të tij nga llogaria Telegram, ku rikujtoi se lufta Rusi-Ukrainë vazhdon prej 3 javësh dhe tha se “Të gjithë duam që paqja të vendoset sa më shpejt”.

Duke tërhequr vëmendjen se vazhdojnë negociatat për ndalimin e luftës, sigurimin e armëpushimit dhe për ndalimin e sulmeve ruse, Zelensky ftoi që të priten me durim rezultatet e dala nga dialogu. “Kjo është e rëndësishme. Është e vështirë por e rëndësishme. Sepse çdo luftë përfundon me një marrëveshje. Takimet vazhdojnë”, tha presidenti ukrainas.

Ai theksoi se në njërën anën vazhdojnë negociatat dhe në anën tjetër ushtria ruse vazhdon të ndërmarrë sulme. Sipas tij, ushtarët rusë vrasin në mënyrë të pamëshirshme gazetarët lokalë dhe të huaj si dhe civilët.

Zelensky tha se ushtarët rusë kanë kryer krime lufte në Ukrainë. “Pushtuesit vazhdojnë të kryejnë krime lufte, të djegin vendet e banuara dhe infrastrukturat civile. Numri i raketave që Rusia ka përdorur në Ukrainë ka kaluar mbi 900. Ndërsa është e pamundur të numërohen sulmet e saj ajrore”, tha ai.

– Thirrje popullit rus

Në fjalën e tij, Zelensky iu drejtua edhe popullit rus ku ai u bëri thirrje qytetarëve dhe biznesmenëve rusë që të kundërshtojnë luftën dhe shtoi se Rusia nga kjo luftë do të dalë me turp të madh dhe varfëri.

– “Avionët luftarakë nuk kanë ardhur ende”

Zelensky vuri në dukje se Ukrainës i janë premtuar avionë luftarakë por deri më sot këta avionë nuk kanë ardhur në vendin e tij. “Vendimi për dërgimin e avionëve në Ukrainë nuk është përmbushur ende. Nuk i kemi marrë ende ato”, tha Zelensky.

Duke ndarë informacionin se rreth 29 mijë persona janë evakuuar kryesisht nga Mariupoli nëpërmjet korridoreve të hapura humanitare në të gjithë vendin më 15 mars, Zelensky tha se njerëzit përpiqen të shpëtojnë veten me automjetet e tyre private.

Kategoritë
BotaLajme