Zelensky në Knesset: Moska flet për “zgjidhjen përfundimtare”, njëlloj si nazistët 80 vjet më parë

Lideri ukrainas iu drejtua deputetëve izraelitë përmes një lidhjeje me videokonference gjatë seancës speciale në Knesset.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të dielën se pret mbështetje ushtarake nga Izraeli dhe u kërkoi deputetëve izraelitë që ta ndihmojnë Ukrainën për të mbrojtur hebrenjtë në Ukrainë.

Volodymyr Zelensky iu drejtua deputetëve izraelitë përmes një lidhjeje me videokonference gjatë seancës speciale në Knesset.

Ai e krahasoi faktin që civilët ukrainas janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës së filluar nga Rusia me situatën e hebrenjve që u arratisën nga masakrat naziste.

“Kombi ynë tani po kërkon siguri duke u arratisur në Poloni, Sllovaki, Çeki, Gjermani e në dhjetëra vende të tjera, njëlloj si edhe ju në të kaluarën”, u shpreh Zelensky.

Sipas tij, pushtimi rus i Ukrainës nuk është vetëm një operacion ushtarak, siç pretendon Moska.

“Kjo është një luftë e madhe dhe e pabesë që synon të shkatërrojë popullin tonë, duke vrarë fëmijët tanë, familjet tona, shtetit tonë, qytetet tona, komunitetet tona, kulturën tonë dhe gjithçka që i bën ukrainasit ukrainas, çdo gjë që trupat/milicia ruse po shkatërrojnë tani qëllimisht, para tërë botës. Prandaj unë kam të drejtën të bëj këtë paralelizëm, këtë krahasim ndërmjet historisë sonë dhe historisë suaj, midis luftës sonë për mbijetesën dhe Luftës II Botërore”, theksoi udhëheqësi ukrainas.

Zelensky u tha deputetë izraelitë se Partia Naziste (zyrtarisht Partia Nacionalsocialiste e Punëtorëve Gjermanë – NSDAP) u krijua në Gjermani, 102 vjet më parë, më 24 shkurt 1920 dhe në të njëjtën datë të sivjetme, Rusia filloi pushtimin e Ukrainës.

“Ata (autoritetet ruse) sërish po i thonë këto fjalë – «zgjidhja përfundimtare» – për neve, popullin ukrainas. Kjo u tha gjatë takimit në Moskë”, vijoi lideri ukrainas me origjinë hebraike duke potencuar se fraza e sipërcituar tingëllon njëlloj me atë të 80 viteve më parë.

“Zgjidhja përfundimtare” (Endlosung) ishte emri i planit të Gjermanisë naziste për gjenocidin sistematik kundër hebrenjve evropianë, i cili çoi në fazën e fundit, më vdekjeprurëse të Holokaustit (Shoah), ku kanë humbur jetën edhe disa nga të afërmit e Zelenskyt.

Duke vënë në pas se Ukraina pret mbështetje ushtarake nga Izraeli, Zelensky kërkoi nga ligjvënësit izraelitë që bëjnë zgjedhjen e duhur dhe të pozicionohen në anën e drejtë të historisë.

“Çfarë është ajo? Indiferencë, paramendim apo ndërmjetësim pa zgjedhur një palë? Unë do t’ju lë një zgjedhje për t’iu përgjigjur kësaj pyetje dhe do të tërheq vëmendjen vetëm mbi një gjë: indiferenca vret, paramendimi shpesh është i gabuar dhe ndërmjetësimi mund të jetë mes shteteve e jo ndërmjet të mirës dhe të keqes. Të gjithë në Izrael e dinë se mbrojtja juaj raketore (Kubeja e Hekurt) është më e mira, është e fuqishme. Të gjithë e dinë që arma juaj është e fortë. Të gjithë e dinë që po bëni një punë të madhe. Ju dini të mbroni interesat tuaja shtetërore, interesat e popullit tuaj. Dhe përfundimisht ju mund të na ndihmoni që të mbrojmë jetën tonë, jetën e ukrainasve, jetën e hebrenjve ukrainas. Ne jemi kureshtarë për disa gjëra. Pse s’mund të marrim armë/municione nga ju? Ose cila është arsyeja që Izraeli nuk ka vendosur sanksione të forta kundër Rusisë? Pse nuk ushtron presion mbi biznesin rus? Por ju takon juve, të dashur vëllezër e motra, t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve dhe të jetoni me përgjigjet që do të jepni”, tha presidenti ukrainas mes të tjerash.

Fjalimi i Volodymyr Zelenskyt në Knesset u transmetua drejtpërsëdrejti edhe në ekranin gjigant në sheshin qendror “Habima” të Tel-Avivit.

Qindra demonstrues, kryesisht ukrainas, u mblodhën në shesh me flamuj të Ukrainës për të dëgjuar fjalën e Presidentit Zelensky drejtuar ligjvënësve izraelitë.

Turma mbajti pankarta që krahasonin presidentin rus me nazistët, hodhi parulla kundër Vladimir Putinit dhe demonstroi mbështetjen e saj për Ukrainën.

Ushtria ruse filloi një ofensivë në Ukrainë më 24 shkurt (2022).

Kategoritë
BotaLajme