Zelensky optimist për takimin e delegacioneve ukrainase dhe ruse në Stamboll

“Le të shohim rezultatin”, thotë Volodymyr Zelensky, duke shtuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës janë të padiskutueshme.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e përshkroi si “jo të keq” raundin e ri të bisedimeve ballë për ballë mes negociatorëve rusë dhe ukrainas që do të mbahet në Stamboll.

“Përpara kemi një raund të ri negociatash, sepse ne po kërkojmë paqen e të vërtetë, pa vonesë. Siç u informova, ka një mundësi dhe nevojë për një takim ballë për ballë në Turqi. Kjo nuk është keq. Le të shohim rezultatin”, tha ai në një videomesazh të publikuar në llogarinë e tij në median sociale.

“Prioritetet tona në negociata janë të njohura. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës janë pa dyshim pika diskutimi”, vijoi lideri ukrainas.

Zelensky nënvizoi se “garancitë efektive të sigurisë” për Ukrainën janë “të domosdoshme”.

“Qëllimi ynë është i qartë – paqja dhe rivendosja e jetës normale në lindje të shtetit tonë sa më shpejt të jetë e mundur,” shtoi ai.

Presidenti Zelensky theksoi se sanksionet kundër Rusisë, “kundër agresionit”, janë të nevojshme për sa kohë që trupat ruse mbeten në territorin e Ukrainës.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i Ukrainës i dërgoi një videomesazh edhe koncertit të organizuar në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, për të mbledhur ndihma për vendin e tij. Në këtë videomesazh ai kërkoi nga Perëndimi ndihma në armatim, sanksione më të rënda kundër Rusisë, kushte humanitare për refugjatët dhe krijimi i korridoreve humanitare për të shpëtuar civilët nga zonat e konfliktit.

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, zhvilloi të hënën një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba.

Turqia vazhdon pa ndërprerje përpjekjet e saj diplomatike për t’i dhënë fund krizës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Ndërkohë që lufta ruso-ukrainase vazhdon që prej fundit të muajit të kaluar, tavolinën për negociatat e paqes këtë herë do ta presë Stambolli.

Në vazhdim të këtyre zhvillimeve, Ministria e Punëve të Jashtme në Ankara njoftoi se kryediplomati Çavusoglu bisedoi në telefon me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba.

“Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, zhvilloi sot një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba. Gjatë kësaj bisede u diskutua për situatën e fundit në Ukrainë dhe negociatat që do të zhvillohen në Stamboll ndërmjet delegacionit rus dhe atij ukrainas”, thuhet në njoftimin për shtyp të MPJ turke.

Bisedimet po zhvillohen në përpjekje për t’i dhënë fund luftës që Rusia filloi kundër Ukrainës më 24 shkurt (2022). Që atëherë, delegacionet e të dyja palëve janë ulur shumë herë në tavolinën e bisedimeve.

 

Kategoritë
BotaLajme