Zelensky: Ukrainës i duhen 7 miliardë dollarë në muaj për të kompensuar humbjet ekonomike

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të enjten se vendit të tij i duhen 7 miliardë dollarë në muaj për të kompensuar humbjet ekonomike të shkaktuara nga lufta që Rusia filloi më 24 shkurt (2022).

Ky vlerësim i liderit ukrainas erdhi gjatë fjalës së rastit në takimin e tavolinës së rrumbullakët të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) me disa ministra të Kievit zyrtar përmes një videolidhjeje.

Volodymyr Zelensky tha se Ukrainës i nevojitet mbështetje e menjëhershme në mënyrë që “udhëheqja ruse të kuptojë se lufta nuk do t’i lejojë ata të realizojnë asnjë nga qëllimet e tyre agresive”.

“Rusia duhet të përjashtohet nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare dhe një taksë speciale për luftën duhet të zbatohet kundër Moskës. Ne duhet të vazhdojmë të bllokojmë asetet e shtetit rus dhe përfaqësuesve të elitës ruse. Rusia, dhe pas saj çdo agresor tjetër, duhet të paguajnë për shkeljen/prishjen e stabilitetit global”, theksoi ai.

Pasi vuri në pah se shkollat, universitetet, spitalet, bizneset dhe infrastruktura u shkatërruan nga sulmet ruse anembanë vendit, Zelensky vijoi me këto fjalë: “Bllokada e aplikuar nga Rusia në portet e Detit të Zi ndikoi eksportet e Ukrainës dhe sigurinë ushqimore në botë. Ne kemi nevojë për 7 miliardë dollarë në muaj për të kompensuar humbjet ekonomike.”

David Malpass, president i Bankës Botërore, deklaroi gjatë fjalës së tij në takim se dëmet fizike të ndërtesave dhe infrastrukturës në Ukrainë për shkak të ofensivës ruse kanë arritur në rreth 60 miliardë dollarë dhe se kjo shifër do të rritet me vazhdimin e luftës.

Ai kujtoi se BB-ja ka mobilizuar tashmë më shumë se 3 miliardë dollarë për të mbështetur vazhdimin e shërbimeve bazë të qeverisë ukrainase.

Kurse drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, tha se institucioni financiar ndërkombëtar publikoi Perspektivën Ekonomike Botërore të martën dhe parashikoi se prodhimi i brendshëm bruto (PBB) i Ukrainës do të pësojë një rënie drastike me rreth 40%.

“Lufta ka rezultuar shkatërruese për ekonominë e Ukrainës. Ne vlerësojmë se gjatë 2-3 muajve të ardhshëm mund të nevojiten rreth 5 miliardë dollarë në muaj për të lejuar që qeveria dhe ekonomia të vazhdojnë të funksionojnë në mes të luftës”, u shpreh Georgieva.

Pra – vijoi ajo – nevojitet më shumë financim i jashtëm, veçanërisht financim koncesionar dhe grante që paguhen shpejtë.

Të paktën 2.345 civilë janë vrarë dhe 2.919 të tjerë janë plagosur nga ushtria ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, me shifrat reale që dyshohet se mund të jenë shumë më e larta.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) bën me dije se mbi 5 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe më shumë se 7,7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Kategoritë
BotaLajme