Zelenskyy: Mbi gjysmë milionë ukrainas janë dërguar “me forcë” në Rusi

“Nuk ka krim që ushtarët rusë nuk e kanë kryer në 49 ditët e këtij pushtimi”, tha presidenti ukrainas në lidhjen përmes video-konferencës me parlamentin e Estonisë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se më shumë se gjysmë milionë ukrainas janë dërguar “me forcë” në Rusi.

Duke iu drejtuar parlamentit të Estonisë përmes video-konferencës, Zelenskyy tha se Rusia synon të marrë ukrainasit e zhvendosur në rajone të largëta të Rusisë, duke ua marrë të gjitha gjërat e tyre personale, dokumentet, si dhe duke konfiskuar telefonat e tyre celularë.

“Sot, më shumë se 500.000 ukrainas janë shpërngulur me forcë. Imagjinoni sa shumë është kjo! Kjo është sikur, më falni për shembullin, pushtuesit të vendosin për qëllim të dëbojnë të gjithë njerëzit nga Talini. I gjithë qyteti, sikur ishte dhe tani atje nuk është askush. Një e treta e të gjithë qytetarëve tuaj”, tha Zelenskyy.

Ai më tej tha se forcat ruse gjithashtu duan të ndajnë fëmijët ukrainas nga familjet e tyre, duke i lejuar rusët t’i birësojnë në mënyrë të paligjshme. “Përpjekjet për t’u kthyer në Ukrainë po pengohen në çdo mënyrë të mundshme”, shtoi ai.

Pako e re e sanksioneve

Zelenskyy tha se institucionet ndërkombëtare të mandatuara për të mbështetur paqen nuk kanë qenë në gjendje të ndalojnë “agresionin e Rusisë”.

Duke folur për vendosjen e sanksioneve të mëtejshme kundër Rusisë, ai u shpreh: “Unë ju bëj thirrje që më në fund të shtoni naftën në pakon e sanksioneve. Nevojitet një embargo në nivelin e të gjithë BE-së”.

Ai ftoi gjithashtu Estoninë të hetojë “krimet e luftës të ushtrisë ruse” në territorin ukrainas.

Zelenskyy tha se “krimet e luftës” përfshijnë ekzekutimin e civilëve, torturën, përdhunimin, shkatërrimin e spitaleve, bombardimin e materniteteve, djegien e depove të ushqimit, granatimet me artileri të strehimoreve në të cilat fshihen fëmijët.

“Nuk ka krim që ushtarët rusë nuk e kanë kryer në 49 ditët e këtij pushtimi”, shtoi ai.

Municione të ndaluara

Presidenti ukrainas tha se forcat ruse përdorin “të gjitha llojet e artilerisë, raketave dhe bombave ajrore në zonat e banuara dhe ndaj infrastrukturës civile. Në veçanti bomba fosfori dhe municione të tjera të ndaluara nga ligji ndërkombëtar”.

“Ky është një terror i dukshëm kundër popullatës civile”, tha Zelenskyy, duke shtuar: “Është një përpjekje për të thyer moralin e njerëzve, për të nënshtruar ukrainasit për breza ose thjesht për t’i shkatërruar ata”.

Ai përsëriti se Ukraina “patjetër të marrë” statusin e një kandidati për anëtarësim në BE “në të ardhmen e afërt”.

Kategoritë
BotaLajme