Zelenskyy: Pas ngjarjeve në qytetin Bucha, ushtria ruse ka ndryshuar taktikë

“Pas ngjarjes në fjalë, ushtarët rusë po përpiqen të eliminojnë provat e krimeve që kanë kryer”, tha Zelenskyy.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se pas ngjarjeve në qytetin Bucha ushtria ruse ka ndryshuar taktikë dhe ajo përpiqet të eliminojë provat e krimeve që kryen në rajonet që pushtojnë.

Në një video mesazh të publikuar, Zelenskyy theksoi se bota pas asaj që pa në Bucha ka ndryshuar qëndrimin kundër shtetit modern rus.

“Pas ngjarjes në fjalë, ushtarët rusë po përpiqen të eliminojnë provat e krimeve që kanë kryer. Pas ngjarjeve në Bucha, ushtria ruse ka ndryshuar taktikë. Kemi informacione se po përpiqet të pastrojë ukrainasit e vrarë nga rrugët dhe bodrumet në rajonet nën pushtim. Por nuk mund të shpëtojnë nga përgjegjësia. Tashmë e dimë se mijëra qytetarë janë të zhdukur”, tha Zelenskyy.

Zelenskyy theksoi se falë një hetimi objektiv të dëshmitarëve dhe vëzhgimeve satelitore do të zbulohen krimet e luftës të Rusisë në territoret e Ukrainës dhe do të vazhdojnë kërkimin e të drejtës.

“Vendet Perëndimore kanë njoftuar një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë dhe megjithëse sanksionet në fjalë duken efektive, ato nuk janë të mjaftueshme. Do të vazhdojmë të insistojmë që sistemi bankar rus të pengohet plotësisht nga financa ndërkombëtare. Gjithashtu do të sigurojmë që bota demokratike të refuzojë naftën ruse me këtë mënyrë ose në një mënyrë tjetër”, është shprehur Zelenskyy.

Presidenti ukrainas theksoi se duhet të bëhet më shumë për të ndalur luftën dhe më tej deklaroi se “Kemi nevojë për një paketë të sanksioneve lënduese ndaj Rusisë dhe furnizim me armë për të cilën me të vërtetë kemi nevojë. Përndryshe Rusia këtë do ta vërejë si leje për të filluar një valë të re të përgjakshme në Donbas”.

Zelenskyy theksoi se kanë vendosur që në zonat e sigurta të rigjallërojnë sërish aktivitetet ekonomike. “U bëj thirrje të gjithë drejtuesve të komunitetit në zonat ku nuk ka kërcënim për konfrontim të drejtpërdrejtë me armikun në terren, të bëjnë gjithçka që është e nevojshme që njerëzit të kthehen dhe të punojnë për të rifilluar proceset ekonomike”, tha ai.

Duke theksuar se pala përballë po përgatitet të fillojë sërish operacionet sulmuese aktive duke rritur fuqinë e saj luftarake, Zelenskyy tha se “Do të luftojmë dhe nuk do të tërhiqemi. Do të vlerësojmë të gjitha alternativat për të mbrojtur veten tonë deri kur Rusia të fillojë kërkimin e paqes në kuptimin serioz”.

Kategoritë
BotaLajme